Joshua Kimish si mos t’i mjaftonin situatat e ndërlikuar te Bajerni në skaje të ndryshme, aty ku njëri kah përkon me rendimentin e dobët dhe tjetri konsiston te debatet e “nxehta” me Tuhelin rreth pozitës së numrit “6”, “Bild” ka shkuar më tej, duke nxjerrë përfundime nëse ndodh rikthimi i Toni Kros në Gjermani.

Sipas këtij mediumi, “regjisori” i Realit të Madridit do të “fshikullonte” Joshua Kimish. Interesante është se të dy lojtarët e mësipërm mbulojnë të njëjtën detyrë, profilin e ndërtuesit mes mbrojtjes dhe fazës ofensive.

Vetëm ndonjë skenar surprizë si zhvendosja e Kimishit në krahun e djathtë të prapavijës do e shpëtonte. Nagelsmani para disa javësh e shprehu dëshirën për Krosin, por tashmë vendimi final do i takojë 34-vjeçarit.

Duhet thënë se futbollisti me numër “8” e ka humbur statusin e të paprekshmit te “galaktikët” dhe kjo e dhënë mund t’i jap një shtysë që të mos rrezikojë ta mbyll me dështim me kampionët e 4-fishtë në rangun e botërorëve. Angli-Gjermani (2-0) në “Euro 2020”, hera e fundit kur Kros e ka djersitur fanellën e “pancerave”.