Vlerësimet pozitive për Vllazninë tashmë po vijnë nga të gjithë. Numri i personave që vlerëson skuadrën shkodrane po rritet dhe për vlerat e saj po binden çdo ditë e më shumë edhe ata që ndoshta ishin pak skeptikë në fillim.

Për gazetarin e mirënjohur Fatmir Mëneri, rezultatet e Vllaznisë nuk vijnë nga rastësia, por sepse stafi dhe futbollistët analizojnë çdo gjë me hollësi dhe rezultatet nuk vijnë kot.

Gjatë një analize të bërë në emisionin “Rubrika Sportive” në TVSH, Mëneri ka folur me superlativa për lojën e ekipit shkodran teksa ka thënë:

Ajo që të bie në sy tek Vllaznia është qartësia e lojës ose më mirë të themi super-detyra e saj. Ajo është e ndërgjegjshme për mënyrën e lojës dhe të paktën në letër, nuk i kishte lënë asgjë rastësisë, por kishte kopsituar çdo gjë mirë.

Kjo nga ana tjetër të jep dhe forcë për të vazhduar më tej. Nëse në fillim u konsiderua suprizë kjo Vllazni, me kalimin e ndeshjeve ajo ka krijuar përshtypjen e një ekipi serioz dhe që i ka idetë e qarta për të ardhmen./SHKODRA-SPORT.COM/