Njihet ndryshe si trajneri që nxjerr kampionë. Bëhet fjalë për të mirënjohurin Roland Koka.

Ndonëse shumë shpejt do të mbushë 70 vjeç, ai vazhdon të punojë plot pasion me ekipin e basketbollit të të rinjve të Vllaznisë.

Natyrisht që pikësynimi i tij i parë është nxjerrja e lojtarëve cilësorë për ekipin e parë dhe më pas, edhe fitimi i trofeve që në fakt nuk janë të paktë.

Në 11 vite që drejton këtë ekip, ka arritur ta shpallë atë 6 vite kampion dhe 2 vite nënkampion.

 

Por duke folur për “Shkodra Sport” profesor Koka jep edhe një lajm të mirë tjetër për basketbollin shkodran.

“Në përbërje të ekipit që stërvis aktualish, kam edhe tre djem që janë me një shtatëlartësi mbi 2 metra.

Këto sportistë padyshim që janë disi të rrallë dhe prandaj po punoj fort me ta, sepse janë një perspektivë e sigurtë për basketbollin shkodran”- shprehet ai.

Nga ana tjetër duke folur për ecurinë e këtij ekipi në kampionatin e sivjetëm, trajneri Koka thotë: “Nuk e kemi filluar ashtu si duhet kampionatin për disa probleme që kemi patur megjithatë kemi fituar 3 ndeshje dhe humbur 2.

Gjithsesi, në javët e ardhshme besoj se rezultatet do të vijnë duke u rritur dhe unë besoj se do të jemi edhe sivjet pretendentë për fitimin e titullit kampion”.
© shkodrasport.com