Kristiano Ronaldo ka qenë një nga protag onistët e mëdhenj në “Globe Soccer Awards”. Kapiteni i Al-Nasr në Arabinë Saudite ishte i pranishëm në skenë së bashku me Rúben Dias dhe Kajl Uolker.

Golashënuesi më i mirë i vitit 2023, ka shfrytëzuar rastin për të komentuar ndër të tjera Ligën e Kampionëve, favoritët sipas tij dhe krahasimin e Ligës Pro Saudite me kampionatin francez.

Ndërkohë që Haland pasi humbi pak ditë më parë duelin me Lionel Mesin, mbrëmë është kurorëzuar si lojtari më i mirë në ceremoninë e zhvilluar në Dubai.

GOLASHËNUESI MË I MIRË NË VITIN KALENDARIK – “Unë isha golashënuesi më i mirë në vitin kalendarik 2023. Nuk është shaka. Mendoni pak të mposhtësh një kafshë si Haland …! Jam krenar. Dhe së shpejti do të bëhem 39 vjeç! Më pëlqen kur njerëzit përsëri dyshojnë tek unë dhe më pas jam i suksesshëm”.

MANÇESTER SITI – “Ajo çfarë Mançester Siti ka bërë është gati e pabesueshme. Dua t’i uroj për sezonin e shkëlqyer, të gjithë me radhë, lojtarët, trajneri. Ishte madhështore… Më në fund fituan Ligën e Kampionëve, ndoshta e meritonin që dy vite më parë. Më pëlqen t’i shikoj teksa luajnë”.

FAVORITËT NË CHAMPIONS – “Mançester Siti ka një shans të mirë për të fituar sërish Ligën e Kampioneve. Favoritët sipas meje? Mançester Siti, Reali i Madridit, Bajerni i Mynihut…”

KAMPIONATI SAUDIT – “Ndihem shumë i lumtur në Al-Nasr, është një hap i madh. Arabia Saudite është në një proces, do të duhet shumë kohë… por hap pas hapi do të arrijnë nivelin më të lartë. Mendoj se ‘Saudi Pro League’ do të jetë ndër tre ligat më të mira në botë. Njerëzit në Arabi do të jenë krenarë”.

KRAHASIMI ARABI-FRANCË – “Liga Saudite nuk është më e keqe se Ligue 1 (Francë). Pas një viti atje. Tashmë jemi më të mirë se liga franceze”.

TËRHEQJA NGA FUTBOLLI – “Në momentin që të ndihem sikur kam mbaruar, do të dal në pension… ndoshta pas 10 vitesh?!”