Është miratuar sot projektligji “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin” dhe ndryshimet në ligjin për sportin. Shtesë në ligjin për tatimin e të ardhurave, tjetër hap drejt formalizimit të klubeve sportive.

Lajmi i mirë është se klubet që do të jenë në varësi të bashkisë, jo vetëm ato të futbollit, do t’i paguajnë sportistët e tyre me një pagë bruto jo më pak se 1 milionë lekë të vjetër bruto. Përfitojnë jo vetëm futbollistët e bashkive të rëndësishme, por edhe të disiplinave të tjera si basketbolli, volejbolli, etj. Ndërkaq, objektet sportive do të kenë një taksim prej 6% në të ardhmen.

Ja komunikata e parlamentit.

Diskutimet e seancës plenare vijuan me ndryshimet e sjella përmes ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 79/2017, “Për sportin”. Katër ndryshimet kryesore të sjella në ligj ishin

1) përfshirja e konceptit të kartës së tifozit, për të minimizuar rastet e dhunës;

2) stimulimi përmes ligjit i ndihmës dhe sponsorizimeve të materialeve sportive, me qëllim që të stimulohet infrastruktura në sport përmes përjashtimeve nga taksa doganore;

3) paracaktimi se mbështetja financiare nga njësitë e vetëqeverisjes vendore është e mundur duke caktuar si dysheme rrogën mujore bruto të futbollistëve jo më të vogël se 1 milionë Lekë të vjetra, me qëllim shmangien e evazionit fiskal në sport;

4) ndryshimi i katërt lidhej me rregullat e pajisjes së identifikimit të kartës së tifozit. Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Fidel Ylli u shpreh se kjo nismë vjen gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, për ta mbështetur sportin shqiptar. Sipas tij, nisma përbën përmbylljen e kuadrit ligjor ndihmues për sportin, që shpreh vullnetin pozitiv të qeverisë në këtë drejtim.

Z. Ylli theksoi se me amendimet e Kodit Penal për dhunën në sport, me ligjin e sponsorizimeve në sport, me ligjin për të ardhurat e sportistëve dhe me diskutimin e 6% të TVSH-së për objektet sportive, krijohet një paketë e plotë serioze për ndihmën e sportit. Në përfundim të diskutimeve, ky projektligj u miratua me 87 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenim.

Seanca e sotme miratoi edhe projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 8438, dt. 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar””, që synon nxitjen përmes përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat personale pagat dhe shpërblimet e sportistëve me kontratë të rregullt me klubet sportive dhe pasqyrimin e pagave e të shpërblimeve reale të përfituara nga sportistët. Ky projektligj u miratua me 81 vota pro, 12 kundër dhe 7 abstenim.