Mes Paulo Dibalës dhe Juves vijon një histori e tipit “tërhiqe, mos e këput”. Gjithçka lidhet me rinovimin për të cilin u bisedua për herë të parë që përpara pandemisë e kur në krye të bordit drejtues bardhezi ishte Fabio Paratiçi. Kush mendon se raportit i ka ardhur fundi gabohet pasi takimi me menaxherin Horge Antun u shty përsëri.

Asgjë personale, thjesht ka qenë klubi që ka vendosur që të bisedojë në një moment të dytë me lojtarët në skadencë (Bernardeski, Perin, De Shiljo e Kuadrado). Nga ana e tij, Dibala duket i qetë dhe ka nisur punën me top pas dëmtimit të pësuar.

Në stërvitjen e Juves kishte edhe tifozë që e ftonin të rinovonte teksa argjentinasi i përshëndeste për së largu. Në takimin e tetorit, palët kishin një marrëveshje me 8 milionë euro rrogë e dy të tjerë bonuse, por askush nuk garanton që kushtet nuk kanë ndryshuar siç ndryshoi data e takimit të planifikuar për në shkurt.

NDRYSHIM STRATEGJIE – Në këto muaj zërat kanë ndjekur njëri-tjetrin dhe tashmë flitet se klubi torinez ka kërkuar një akord me shifra më të përmbajtura. Ndërkohë, shigjetimet publike mes drejtorit Arrivabene dhe numrit 10 nuk është se kanë munguar.

Shtyrja e takimit të fundit mund të interpretohet si ndryshim qëllimesh, ndërkohë që Dibala nuk ka nevojë për lejen e askujt të gjejë akorde me klube të tjera.

Ndjesia, sipas “La Gazzetta dello Sport”, është se Juvja, përveç parave, nuk mund t’i garantojë argjentinasit një projekt me të në qendër. Oferta më e ulët do të shërbente si rast për të zbuluar qëllimet e secilës palë, por drejtuesit bardhezi kanë marrë tjetër kohë.

Ndoshta për të përshtatur ofertën e re për rinovim me nevojat e Dibalës. Në kushtet aktuale duket e vështirë që “Zonja e vjetër” të propozojë më shumë se 7 milionë euro, që përkon me rrogën e Dushan Vlahoviçit. Edhe afatet duket se do të preken me klubin që mund t’i ofrojë “La Joya”-s, tri vite kontratë në vend të 4 që kërkon lojtari.

KLUBET E TJERA – Dibala vërtetë po pret, por një sy rrotull e ka hedhur. Një futbollist i tillë falas është rast përforcimi për çdo skuadër me ambicie. Atletiko e Madridit me Simeonen është një nga admirueset më të mëdha të Dibalës, ndërkohë që thuhet se drejtori Berta e ka takuar menaxherin e argjentinasit.

Në dritare qëndrojnë Barcelona dhe Totenhemi, ndërkohë që tek Interi mezi presin të shtojnë një tjetër pjesë juventine në mozaikun e fitoreve të drejtorit Marota. Edhe Siti i Guardiolës monitoron situatën, por dëmtimet e shpeshta të Dibalës në vitet e fundit janë një pengesë për këdo.

Te Juvja, që situatën fizike të lojtarit e njohin mirë, po vlerësojnë shumë aspekte dhe ardhja e Vlahoviçit thuhet se mund të ketë cenuar situatat e merkatos së verës.

Ndaj Specias, numri 10 regjistroi mungesën e 12- të sezonale dhe duket se të gjitha problematikat muskulare kanë lidhje me COVID-in. Edhe mendësia e futbollistit mund të ndikojë sepse nuk është mister që ai është më i tensionuar se kurrë në këtë moment të aventurës së tij bardhezi.

Paulo shpreson të jetë gati për Vijarealin, por duke parë precedentët, kujdesi është i detyrueshëm.