Napoli i Ançelotit ka arritur të marrë rezultate pozitive në javët e fundit, por ende nuk ka një identitet të vetin, duke qenë se ndeshje pas ndeshje, ka shumë ndryshime në formacion. Në takimin e fundit ndaj PSG-së në Ligën e Kampionëve, ashtu si edhe ndaj Liverpulit, mbrojtësi Elseid Hysaj ka provuar shijen e stolit, gjë e cila nuk i ndodhte më parë, sidomos në ndeshje kaq të vështira.

Karlo Ançeloti po tregon te Napoli se me të, nuk ka asnjë futbollist të paprekshëm dhe për takimin e radhës në kampionat ndaj Romës, po planifikon ndryshime të tjera ën vendosje. Këtë radhë, Elseid Hysaj mund të buzëqeshë duke qenë se po projektohet si titullar nga tekniku italian, ndërkohë që do të ketë edhe tre ndryshime të tjera në formacion.

Zielinski pritet të vihet në qendër, ndërkohë që Milik dhe Mertens mund ta nisin si titullar në sulm. Natyrisht, ndryshimet e shumta në formacion, i bëjnë futbollistët të japin më të mirën në stërvitje, ndërkohë që lëniet në stol, mund edhe të rëndojnë psikologjikisht futbollistët.

Kujtojmë që Kombëtarja luan në nëntor dy takimet e radhës, ku fillimisht pret Skocinë në takimin zyrtar, e më pas Uellsin në miqësore dhe Hysaj duhet të jetë në formën më t mirë, që të mos rrezikojë humbjen e vendit në Kombëtare, ashtu si ndaj Jordanisë./vipsport/