Vetëm pak ditë pasi ka pranuar të drejtojë skuadrën matjane të futbollit, tekniku Samuel Nikaj ka nisur përgatitjet për të siguruar lojtarë cilësorë, me synimin e vetëm që në fund të sezonit 2020-2021 Burreli të jetë pjesë e Superiores.

Nikaj është modest dhe flet me këmbë në tokë kur sqaron se duhet shumë punë, djersë dhe sakrifica për të realizuar këtë objekt madhor.

“Kemi kontaktuar shumë lojtarë të skuadrave të tjera dhe deri tani them se kemi rënë dakort me futbollistë të mirë. Miraka, Sefgjini, Zefi e të tjerë kanë nënshkruar kontratë me ne dhe jemi në bisedime me lojtarë të tjerë që mendojmë se bëjnë diferencën dhe mundësojnë realizimin e objektivit tonë”, shprehet për tirananews.al tekniku Samuel Nikaj.

Pasi flet me superlativa për tifozerinë e veçantë matiane Nikaj shton se në Burrel ka një kryetar bashkie që e do dhe e mbështet me gjithë shpirt skuadrën e futbollit. Sipas tij Agron Malaj edhe sezonin e fundit investoi në mjediset sportive, sidomos në “Liri Ballabani” dhe për skuadrën, duke u krijuar futbollistëve kushte më të mira financiare, akomodimi dhe trajtimi ushqimor.

I pyetur se si do ta realizojë objektivin e ngjitjes së ekipit një kategori më lart trajneri burrelas thotë se nga nesër skuadra do të zhvillojë dy seanca stërvitore në ditë, paradite dhe pasdite. Megjithëse kampionati është shumë afër, Nikaj ka menduar që stërvitja, sidomos dy javët e fundit, të zhvillohet me ngarkesë të plotë.

“Unë, deklaroi ai, dëshiroj dhe ëndërroj ta shoh Burrelin në Superiore. Më është krijuar bindja se ky është një detyrim i imi ndaj këtij qyteti sportdashës. Tani që të gjithë faktorët janë në favor të futbollit them se objektivi do të realizohet me sukses. Prej ditës së parë që nënshkrova kontratën me Burrelin më janë gjendur pranë  dhe më kanë ndihmuar administratori Bajram Ballabani dhe drejtori teknik Klevis Gjoka”.