Samuel Nikaj ka dalë si futbollist dhe si trajner nga Vllaznia, por ka provuar të luajë dhe të drejtojë në disa qytete të tjera, përfshirë këtu Shqipërinë dhe Kosovën. Aktualisht, Nikaj është trajner i Pogradecit, skuadër që ka marrë përsipër për ta ngjitur në Kategorinë e Parë, ashtu siç ka bërë më parë me Flamurtarin e Prishtinës, Vushtrinë apo edhe me Kastriotin e Krujës.
Edhe pse drejton ekipin e Pogradecit, trajneri shkodran është nga ata që nuk humbet asnjë ndeshje të Vllaznisë për ta parë, qoftë në stadium, qoftë në TV, pasi mendjen dhe zemrën i ka tek ekipi shkodran. Shpesh, ai analizon Vllazninë edhe në televizionet lokale dhe një gjë të tillë ka bërë edhe kësaj rradhe, teksa ishte i ftuar në emisionin “Sport Show” në TV1-Channel.
Nikaj u shpreh se te Vllaznia nuk duhet të ketë presion për rezultat, pasi kjo gjë të imponon që të luash me frikë dhe atëherë nuk prodhohet futboll i bukur, ndërsa më pas theksoi se Vllaznia ka shumë pak futbollistë shkodranë në gjirin e ekipit të saj dhe këtë ai e shikon si një problematikë.
“Te Vllaznia nuk shkon ajo pjesa që nuk shkon në komplet kampionatin shqiptar. Eshtë ajo pjesa që trajnerët dhe stafet drejtuese kanë presion për rezultat. Ta imponon ty për t’u futur dhe të luash me frikë. Në këtë mënyrë, nuk prodhon futboll të bukur.
Në Shkodër i mëshojnë më shumë se në të gjitha qytetet e tjera faktit që duan futbollin e bukur, sepse po ta kapësh për pikë aty-aty jemi. Megjithatë, kjo vjen si faktor i presionit që është tek stafet drejtuese. Ne nuk kemi projekte serioze që t’i themi trajnerit puno.
Ne në Shkodër, që jemi djepi i futbollit, kemi shumë pak futbollistë shkodranë dhe këtë e shoh si problem. Megjithatë, po më vjen mirë që profesor Josa po e përkrah Alivodën. I ka dhënë minutazh Smajlit. Duhet vit për vit nga dy-tre futbollistë të rinj shkodranë, që të paktën 70-80% e ekipit, të jetë me shkodranë, pasi ne jemi Shkodra dhe e kemi traditë futbollin.
Presioni nuk është normale, por futbolli është kaq i bukur, sepse i lë mundësinë gjithkujt për ta gjykuar. Kështu si shkruajnë njerëzit dhe flasin nepër rrjete sociale për futbollin, është si për të shkuar unë te doktori dhe t’i them që më ke dhënë ilaçe pak”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri shkodran i Pogradecit, Samuel Nikaj.
Maringlen ZHIVANI