Sot luhet derbi Inter-Milan, i vlefshëm për gjysmëfinalen e kthimit të Champions League. Stadiumi “San Siro”, siç ka ndodhur disa herë këtë sezon në ndeshjet e Interit, që sot është pritës, do të jetë i mbushur plot nga tifozët e të dyja skuadrave.

Mediat italiane konfirmojnë praninë e 75 mijë shikuesve në stadium, ndërkohë që është vendosur edhe një rekord i ri për futbollin italian për sa i përket arkëtimeve. Euro-derbi që luhet sot në mbrëmje do të sjellë në arkën e Interit plot 12 milionë euro.

Kjo shumë është 1.5 milionë euro më shumë se sa shifra e gjysmëfinales së parë, kur Milan arkëtoi 10.5 milionë euro (Inter fitoi 2-0 takimin e parë).

Për sa i përket shikueshmërisë në gjithë botën, do të jenë rreth 50 kompani që kanë blerë të drejtat televizive dhe që do ta shpërndajnë atë në 115 vende të globit./telesport/