Nëse flasim për sportin e gjimnastikës në Shkodër, por edhe Shqipëri aktualisht, një emër që kurrsesi nuk mund të anashkalohet është ai i Leonard Lulajt. Ish- gjimnasti i Vllaznisë së viteve ’80, po mundohet të mbajë gjallë këtë sport në Shkodër dhe Shqipëri duke qenë një nga drejtuesit kryesorë që po punon fort për rritjen e numrit të gjimnastëve, por edhe për promovimin e këtij sporti.

Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo është një ditë e veçantë për të. Leonard Lulaj feston 56 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast në emër të redakisë së gazetës “Shkodra Sport”, por edhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Ai ka lindur në Shkodër më 16 maj 1967 dhe që në moshën 9 vjeçare rregjistrohet në klasën e tretë të shkollës sportive “Ali Laçej”, e profilizuar për sportin e gjimnastikës. Do të marrë mësimet e para të këtij sporti nga trajnerët e njohur Gjovalin Mikeli dhe Begator Bashkurti, të cilët ndër vite kanë nxjerrë shumë gjimnastë cilësorë.

Leonard Lulaj do të bëhej fillimisht kampion për shkollat sportive e më pas në vitet 1982-85 është kampion kombëtar për të rinj. Në vitin 1984 kalon tek ekipi i të rriturve të Vllaznisë dhe që këtë vit fiton kategorinë e parë sportive.

Edhe një vit më pas jep një kontribut të madh për ekipin e Vllaznisë që ai të renditej i pari në klasifikimin ekipor. Pas lënies së sportit, vazhdon studimet e larta por gjimnastika do të mbeste gjithmonë pasioni i tij i madh. Për kontributin e tij në këtë sport, Bashkia Shkodër dhe SK Vllaznia, me rastin e festimeve të 100 vjetorit të këtij të fundit në vitin 2019, e kanë vlerësuar me “MIRËNJOHJE” si një ndër gjimnastët më të mirë të shekullit për Vllazninë

Por ndërkohë Lulaj pas lënies së sportit, nuk do të largohej prej tij. Në vitin 2010 është zgjedhur në postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Gjimnastikës. Këtë post e ka mbajtur për disa vite me rradhë dhe gjatë kësaj periudhe gjimnastika shqiptare njeh arritje shumë të mëdha.

Ndërkohë vitet e fundit është angazhuar maksimalisht edhe për rikthimin e këtij sporti në Shkodër teksa ka ndërtuar një palestër të re dhe po kontribuon për rritjen e cilësisë së këtij sporti, pavarësisht angazhimeve të tij si biznesmen.
Gjergj KOLA