Futbolli i femrave në Shqipëri nga viti në vit po njeh rritje dhe për të bërë këtë gjë, kanë patur ndikimin e vet edhe trajnerët që kanë punuar me këto ekipe. Kryesisht ato të Vllaznisë kanë meritën më madhe sepse është ekipi që jo vetëm ka përfaqësuar vendin tonë denjësisht në Champions League, por edhe kanë qenë baza e ekipit tonë kombëtar.

Një nga trajnerët që ka lënë gjurmë me punën e tij është edhe Selami Pepaj. Ai drejtoi ekipin e Vllaznisë deri në korrik të vitit 2015, periudhë kur bashkë me familjen e tij u largua drejt Anglisë.

Ai e drejtoi për dy sezone ekipin e Vllaznisë duke marrë edhe disa trofe me të. Ka fituar dy tituj kampionë, pikërisht ato të sezoneve 2013-2014 dhe 2014-2015, po ashtu edhe dy Kupa të Shqipërisë po në këto sezone, ndërkohë që me ekipin shkodran ka fituar edhe trofeun e Superkupës në vitin 2013.

Dy vjet, pesë trofe të fituara, padyshim që këtë mundësi ta jep vetëm një ekip i pakrahasueshëm me askënd tjetër në futbollin e femrave në Shqipëri- Vllaznia e Shkodrës. Dhe Selami Pepaj ka lënë gjurmët e tij në këto suksese, duke shkruar emrin në librin e artë të ekipit kuqeblu.

I datëlindjes 30 prill 1966, Pepaj do t’i përkushtohej futbollit. Luan për shumë vite në rradhët e ekipeve të Veleçikut e Shkodrës duke rënë në sy për aftësitë e tij në shënimin e mjaft golave, madje shpeshherë edhe spektakolarë.

Pas lënies së futbollit, nis punën si trajner duke krijuar ekipin e Vrakës nga rradhët e të cilit kanë dalë futbollisti si Rubin Hebaj, Uendi Vecaj, Sinisha Rajçeviq etj.

Upload Files

Megjithatë puna tek Vllaznia e femrave ka shënuar edhe kulmin e karrirës së tij si trajner që në fakt nuk zgjati shumë por gjithsesi, pesë trofetë e fituara tashmë janë në cv-në e tij dhe padyshim që i kanë dhuruar shumë emocione e kënaqësi.
Gjergj KOLA