Një brez i ri talentesh shqiptare po rritet në Itali dhe për ta ka interesim nga klube të ndryshme mes profesionistëve edhe pse në moshë të re. I tillë është interesimi edhe për një element me shumë perspektivë si Serxhio Kalaj.

Mbrojtësi i datëlindjes 2000, pjesë e akademisë së Lacios, ku ka qenë titullar i paprekshëm në prapavijën e ekipit të të rinjve, po monitorohet nga skuadra të ndryshme të Serisë C të cilat janë gati ta huazojnë atë për edicionin e ardhshëm.

Sipas mediave italiane janë skuadrat e Albinolefe, Gubio dhe Groseto ato që janë vënë në ndjekje të djaloshit duke tentuar që ta afrojnë për edicionin e ri, duke i dhënë mundësinë që të provojë veten mes profesionistëve.

Lacio për momentin nuk ka vendosur ende, por parashikohet që t’i japë këtë mundësi lojtarit që të rritet edhe më shumë, siç ka bërë shpesh me talentet e reja premtuese.

Kalaj, prej një viti është pjesë edhe e përfaqësueses U21 të Shqipërisë, duke filluar të aktivizohet me këtë ekip dhe duke qenë pjesë e grupit që po merr pjesë në kualifikueset e Europianit. /vipsport/