“Shpresoj të përsëritet vera e vitit të kaluar”. Kjo është dëshira që ka Shpëtim Duro në krye të Laçit. Trajneri dhe të gjithë në kampin kurbinas ëndërrojnë të shkojnë sa më larg në Ligën e Konferencës. Sot në orën 20:00 në stadiumin “Elbasan Arena”, kurbinasit presin Petrokub Hinçestin. Ndeshja e parë në Moldavi përfundoi 0-0 dhe Laçit i duhet një fitore për të kaluar turin, ndërsa çdo barazim i mundshëm e dërgon sfidën në kohën shtesë. Në intervistën për “Panorama Sport”, trajneri i bardhezinjve u shfaq optimist për atë që pret nga takimi i sotëm, ndërsa komentoi edhe lëvizjet e fundit në merkato.
Si kanë shkuar këto ditë përgatitje në prag të ndeshjes me Petrokubin?
Gjendja e ekipit ka qenë perfekte, pasi çdo gjë ka shkuar mirë. Objektivi kryesor ka qenë rikuperimi i skuadrës pas asaj lodhjeje të madhe dhe problemeve që patëm në transfertën moldave. Jam i kënaqur, sepse deri më tani gjërat kanë shkuar sipas parashikimeve. Të gjithë lojtarët janë në maksimumin e tyre dhe gati për ndeshjen.
Jua prish planet për formacionin mungesa e mesfushorit Sebastjan Spahiu?
Patjetër, pasi Spahiu është një futbollist cilësor dhe sidomos në mesfushë na prish punë. Megjithatë, këto i ka futbolli dhe do të shikojmë mundësitë që kemi për ta zëvendësuar dhe gjetur mënyrën e duhur të lojës.
Tani që e njihni më mirë ekipin moldav, e ndieni veten favorit në këtë ndeshje të kthimit apo ka diçka që ju tremb?
E njohim më mirë kundërshtarin, por kjo është reciproke, sepse edhe Petrokubi na njeh mirë tashmë. Në letër jemi ne favoritë, por duhet të kemi shumë kujdes. Përballë kemi një skuadër të mirorganizuar dhe që meriton respekt të jashtëzakonshëm për takimin e kthimit. Në sfidën e parë na i prishi planet dalja e Spahiut, pasi na kondicioni në disa aspekte. Nuk dolëm tek ajo lojë që kishim përgatitur për ta interpretuar në fushë. Do të shikojmë sot se çfarë mund të bëjmë më mirë.
Nuk keni pësuar asnjë gol në tri ndeshjet e deritanishme, por ndërkohë keni shënuar vetëm një herë…
Kemi ekuilibër dhe kjo është shumë pozitive. Të mos pësosh asnjë gol në tri ndeshje dhe për më tepër me ndeshje me sistem eliminimi është shumë e rëndësishme. Njëkohësisht kemi pasur mundësi të shënojmë disa gola. Rastet para portës i kemi pasur të shumta dhe kjo është keqardhja e vetme. Pra, kemi merituar të shënojmë më tepër se një gol. Gjithsesi, deri tani çdo gjë ka shkuar OK dhe jam i kënaqur.
Prisni një sforco më tepër nga sulmuesit Guindo dhe Adeleke?
Patjetër, është dyshja kryesore e sulmit. Edhe pse nuk kanë shënuar në ndeshjet e para, ata kanë qenë protagonistë, duke e ndihmuar ekipin.
Besoni te një verë europiane më të gjatë se edicioni i kaluar?
Po, shpresoj të përsëritet vera e vitit të kaluar. Nëse do të kalojmë këtë tur, do të jetë jashtëzakonisht pozitive për të gjithë te Laçi. Do të na japë shumë qetësi edhe për dy ndeshjet e radhës.
Ditët e fundit ka ardhur mesfushori që ka luajtur me kombëtaren e Polonisë, Ariel Borisyuk, por gjithashtu po stërvitet edhe ukrainasi Mykyta Peterman. Cila është përshtypja juaj e parë për dy lojtarët?
Patjetër që kishim nevojë për lojtarin polak. E kam thënë edhe më parë që na duhet një mesfushor tipik me numër 6, që të ketë eksperiencë. Ariel Borisyuk ka një përvojë të jashtëzakonshme, por ka disa kohë që nuk luan dhe së fundi është stërvitur në mënyrë individuale. Shpresoj të kapë gjendjen sa më shpejt, por ne jemi përqendruar deri më tani te lojtarët që kemi përballuar këto tri ndeshje. Ndërsa për sa i përket mesfushorit ukrainas, mund të them se është nën vëzhgim dhe do ta shikojmë me kujdes, pasi edhe ai vjen nga një periudhë pa luajtur. Nuk dua të nxitohemi për të dhënë vendimin përfundimtar.
Renato Malotës i ka përfunduar kontrata me Laçin. Do t’u kërkoni drejtuesve të insistojnë për rinovimin me mbrojtësin?
E di që i ka mbaruar kontrata, por në këtë moment nuk jemi të fokusuar te ky problem, pasi kemi një ndeshje shumë të rëndësishme përpara.