Kukësi dhe Tirana kanë barazuar 0-0 për javën e 27 të Superligës. Ndeshja e zhvilluar mesditën e së shtunës në Rrogozhinë nuk ka prodhuar shumë raste, teksa veçohet tranversa e Gj. Taipit në pjesën e dytë.

Dueli ka nisur me kontrollin e bardhebluve, që kanë pasur disa raste por pa konkretizuar. Më pas loja është ekuilibruar, me skuadrat që kanë pasur frikë mos pësonin gol duke kaluar në disa raste dhe në nervozizëm.

Edhe pse trajnerët bënë lëvizje në fushë, asnjë rast real për gol nuk u prodhua nga protagonistët në fushë. Pas 27 ndeshjeve, Tirana shkon në kuotën e 60 pikëve në krye, ndërsa me 44 pikë Kukësi mban vendin e tretë.

Pas ndeshjes për Gol pas Goli foli trajneri i Tiranës, Orges Shehi:

“Trajneri i Kukësit më tha ’jeni shumë të fortë, nuk është e drejtë’. Këtë ndeshje donim ta kishim në ekuilibër, u vendosëm ndryshe edhe për shkak se Xhixha ishte i dëmtuar.

Të jesh gjithë kohën në rritëm, ka të bëjë edhe orari apo ambienti. Ndeshjen e interpretuam mirë, e kontrolluam.

Xhixha dhe Devid kanë cilësi të ndryshme, nuk duam të rrezikojmë. Na duhej Xhixha dhe e futëm vetëm pjesën e dytë për shkak se nuk ishte në 100 përqind.

Totre jo në rritëm? Mbase keni parë vetëm vendosjen tonë, jo të kundërshtarit. Ata kishin katër lojtarë në mesin e fushës. Donim që të mos rrezikonim edhe për shkak të terrenit. I ndërruam edhe pozicionin Totres, e vështirë të jesh i zhdërvjellët kur lojtarët kanë 4 mesfushorë.

Diferenca dhe motivimi -Motivimi është i rëndësishëm, në këtë fazë ndodh. E kemi garën me veten. Kemi edhe 9 ndeshje, nuk kemi pse bëjmë shkencë. Kemi 20 pikë fazën e tretë, sa në dy fazat e para.

Janë 27 pikë në lojë, nuk kemi siguruar asgjë. Më pas do fusim elementët e rinj, por jo të prishim ekuilibrat. Nuk duhet të fokusohemi te asnjë tjetër veç vetes.

Loja – Në orar dhe kushte të përshtatshme do ishte ndryshe, disa janë edhe me Ramazan.

Tifozët dhe fushat neutrale – Orari, e ceka pak më parë. Duke luajtur në fusha asnjëanëse nuk na favorizon. Kur jemi jashtë fushe, mirë do jetë të kemi edhe tifozë kundërshtarë. Preferoj një stadium plot”, tha Shehi.