Orges Shehi e ka pranuar se në radhët e skuadrës së tij ka dëshpërim pas eliminimit nga Kupa pa arritur në gjysmëfinalet e turneut.
“Mendoj që në ndeshje Kupe, futbolli është i poshtër, ndëshkohesh nga një episod dhe ke gjithë kohën trysni se nuk arrin të shënosh. Mendoj që kemi bërë maksimumin, nuk mendoj se nënvlerësuam kundërshtarin. Në futboll ndodh çdo gjë, penalltitë janë edhe çështje fati.
Kampionati dhe kalendari i tillë është, na vuri përballë dy herë brenda pak ditësh me këtë kundërshtar. Skuadra u përpoq, ishte prezente te porta, nuk është se ka elementë nënvlerësimi. Por kjo situatë është kur kundërshtari mbrohet me forca të shumta, nuk shënon e futesh në trysni. Sigurisht, qarkullimi e veprimet duhej të ishin më të shpejta, nuk mendoj se është çështje psikologjike por është fat, futbolli i tillë është.
Kampionati vjen shpejt, na vjen keq që dolëm nga Kupa, pikëllimi është i madh. Duhet të ngremë skuadrën psikologjikisht se është shumë e rëndësishme. E gjithë frika është se mos ndikon në vazhdimësi, duhet të përqendrohemi. Ta kthejmë në forcë këtë dhimbje të madhe që kemi”, tha Shehi për “MCN” pas eliminimit.