Ka shënuar sërish Xhevahir Sukaj për skuadrën e tij Sepahan por këtë herë goli i tij nuk i ka mjaftuar asaj për të marrë një rezultat pozitiv. Ka ndodhur kështu pasditen e sotme teksa Sepahani ka luajtur në fushën e tij ndaj skuadrës së Katarit Al Ahli SC, ndeshje kjo e vlefshme për Ligën e Kampioneve të Azisë. Al Ahli ka fituar ndoshta në mënyrë të papritur me rezultatin 4-2 në transfertë. Sukaj ka shënuar që në minutën e tretë të ndeshjes duke zhbllokuar rezultatin megjithatë miqtë kanë barazuar dhe në pjesën e parë kanë shënuar edhe një gol tjetër duke e mbyllur këtë pjesë me rezultatin 2-1 në favor të tyre.

Në pjesën e dytë, skuadra nga Katari ka shënuar edhe dy gola të tjerë dhe vetëm tre minuta para fundit të takimit, Sepahani ka shënuar edhe golin e dytë me anë të Talebi. Krejt ndeshja kësisoj është mbyllur me rezultatin 4-2 për Al Ahli. Humbja e sotme i ka ndërlikuar shumë pretendimet e Sepahanit që pas tre ndeshjesh ka arritur të marrë vetëm 3 pikë duke qenë në vendin e tretë në grup. Megjithatë, Xhevahir Sukaj e ka bërë mjaft mirë punën e tij duke shënuar tre gola në po kaq ndeshje. Po sot është luajtur edhe ndeshja tjetër e vlefshme për këtë kompeticion në mes ekipit japonez Jiangsu Santy dhe Buriram United. Skuadra Jiangsu ku luan shkodrani tjetër Hamdi Salihi ka fituar 2-0 por ai nuk ka shënuar në këtë ndeshje.
Gjergj KOLA