Skuadra e Murlanit arriti një fitore spekakolare në shifrat 1-4 në takimin që zhvilloi dje kundër Bulqizës. Ekipi i drejtuar nga një emër i njohur i futbollit shkodran si Altin Xhahysa arriti të merrte suksesin e rradhës. Ndeshja e vlefshme për javën e 17-të të Kategorisë së Dytë, shikoi që në fund Murlani të merrte 3 pikë të rëndësishme.

Pikë që ngjisin në vendin e 6-të me një total prej 25 të tillash. Por nëse takimi kishte një protagonist absolut ai ishte Rigers Xhahysa. Pikërisht nipi i trajnerit, Altinit.

Djaloshi 20-vjeçar ishte autori i 3 golave për skuadrën e Murlanit duke qenë absolutisht më i miri i ndeshjes, apo edhe më i miri i javës në këtë ligë.

Mesfushori i formuar tek akademia Vllaznia, pas një gjysmë të parë të sezoni të kaluar tek Burreli mes problemeve të shumta shëndetësore duket se po rikthehet në formën e tij më të mirë.

Patjetër që niveli dhe pritshmëritë për Xhahysen e ri nuk janë për të qëndruar në këtë ligë. Ambiciet për të ardhmen janë shumë më të mëdha dhe me siguri në merkaton e verës do e gjejmë fantazistin në një skuadër tjetër.

Endri ÇINARI