Astrit Hafizi beson se Thomas Brdariç është përgjegjës direkt për situatën që po kalon Vllaznia. Ish-trajneri i njohur ka argumentuar se tekniku gjerman po gabon në interpretimin e lojës së skuadrës, duke mos ditur t’u kundërvihet kundërshtarëve, pasi ekipi bën të njëjtat gabime siç shpjegoi në “Gol pas Goli” pas humbjes me Tiranën.

“Nuk mund të bëhet rrugë kjo që Vllaznia e nis mirë, kalon në avantazh, humbet penallti e kundërshtari e përmbys lojën? Çfarë ndodh në pushim, si janë vendosjet e lojtarëve me pjesë? Unë mendoj që është përgjegjësi direkte e Brdariç, nuk mund të vendosësh lojtarët në disa pozicione.

Shihet që Latifi është nën nivelin e tij. Mirë humbet penallti, edhe kur i ka shënuar, nuk i gjuan si duhet. Ti duhet ta kuptosh si trajner se nuk gjuhet ashtu, ka mënyra si gjuhet. Me vërtetë edhe mund të kesh shënuar, edhe për gabim të portierit. Por po të shkonte 2-0, ishte problem tjetër.

Pra mund të themi pa frikë që ndeshja në Tiranë paska qenë rastësi, se Tirana është e dyta herë që e bën kështu. Edhe në fazën e parë, Tirana të përmbysi lojën, pra nuk ke nxjerrë mësime. Duhet të marrë përgjegjësitë e veta”, tha Hafizi.