Prej vitesh është në krye të kolegjiumit të gjyqtarëve të futbollit të Shkodrës duke u munduar të bëjë një punë sa më të mirë megjithatë shpeshherë është penguar nga faktorë të ndryshëm. Mhill Shkëmbi është munduar gjithsesi t’i anashkalojë ato duke shpresuar në përmirësimin e gjërave. Më së shumti, ai ka ndjerë keqardhje për mosmbështetjen aq sa duhet të gjyqëtarëve të kolegjiumit që drejton. E ka ngritur zërin në çdo mbledhje që është zhvilluar në Federatë por pakkush ia ka vënë veshin. Si rrjedhojë, sot Kolegjiumi i Shkodrës ndonëse ka një numër të madh gjyqtarësh, ka shumë pak për të gjykuar ndeshjet e Superligës. Numri është i madh në fakt por ndeshjet që u jepen atyre janë të pakta.

Kryetari Shkëmbi megjithatë duke folur për gazetën online shkodrasport.com, do ta quante shumë pozitive praktikën që po ndjek së fundi Federata Shqiptare e Futbollit. “Më pëlqen kjo mënyrë sesi do veprohet tani e tutje sepse caktimi dhe përzgjedhja e arbitrave nuk do të bëhet më sipas preferencave apo emrave por sipas një renditje. Kështu për gjyqtarët ka një renditje në bazë të vlerësimeve që ata kanë marrë sezonin e kaluar. Tek Superliga janë përzgjedhur më të mirët dhe bashkë me to është edhe gjyqtari i kolegjiumit të Shkodrës Ditmar Jubica. Tek anësorët, ka një listë prej 30 emrash dhe në bazë të pikëzimit, 6 të fundit zbresin nga kjo listë dhe përfundojnë në listën B. Shkodra për fat ka qenë mirë sepse në 24 gjyqtarët anësorë të përzgjedhur për Superligën, ka 4 brenda dhe pikërisht Melis Dervishin, Gjovalin Borin, Dritan Salajn dhe Marjan Qeserin. Besoj se është një numër i kënaqshëm dhe me shumë siguri, nëse vazhdon ky sistem edhe sezonin e ardhshëm, ky numër do shtohet sërish sepse kemi gjyqtarë të tjerë si Sonil Zekaj etj që kanë aftësi shumë të mira”-ka thënë Shkëmbi.Por në kolegjiumin e Shkodrës nuk janë vetëm emrat e mësipërm pasi janë edhe shumë të tjerë, që janë pjesë e rëndësishme e tij pavarësisht se gjykojnë në kategorinë e parë.Për këtë arsye, kryetari Shkëmbi shton: “Përveç këtyre gjyqtarëve që përmenda më sipër ka edhe të tjerë që duhen përmendur. Pa diskutim Pajtim Lapi dhe Agron Kastrati që janë me shumë përvojë por nuk mbeten pas edhe Elidon Qerimaj e Nikolin Sterkaj, shumë të apasionuar. Këtë vit më duket se edhe Federata dhe njerëzit që merren me sektorin e gjykimeve janë duke na shikuar me një sy më të mirë dhe shpresojmë se do mbeten të kënaqur me profesionalizmin që do tregojnë gjyqtarët tanë sepse ata janë model në të gjitha drejtimet”. Mhill Shkëmbi do mbahet mend si një ndër njerëzit që prej vitesh këmbëngul që gjyqtarët e kolegjiumit të Tiranës nuk duhet të gjykojnë ndeshjet e ekipeve të Tiranës ngaqë Vllazninë nuk ndodh ta gjykojnë gjyqtarë shkodranë megjithatë kjo kërkesë e tij nuk është marrë parasysh me idenë se nuk ka aq shumë gjyqtarë.
www.shkodrasport.com