Me iniciativë të Shkodra Sport Event me drejtues gjyqtarin e njohur të futbollit, Jetmir Podgorica, në bashkëpunim edhe me Shoqatën Rajonale të Futbollit në Shkodër, me president Lazër Matinë, qindra sportistë të vegjël, përfaqësues të ekipeve të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, janë mysafirë prej disa ditësh në qytetin e Shkodrës, duke konkurruar në kuadër të Turneut Ndërkombëtar “Shkodra Summer Cup”, i pesti për nga rradha.

Pas ndeshjeve eleminatore të zhvilluara në fushën sportive të Barbullushit, ndeshjet finale të kategorisë, U-9, U-13, U-17 dhe U-16 femra, u zhvilluan në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Për kategorinë U-9, fitues i vendit të parë u shpall, Atletik Shkodra duke lënë në vend të dytë The Door. Futbollisti më i mirë i kësaj grupmoshe ishte talenti nga Kosova, Erdi Sopjani i ekipit Pro Prishtina.

Për kategorinë, U-13, Pro Prishtina me president Shkumbin Sopjanin, mundi në finalen emocionuese përmes gjuajteve të penalltive, Durrësin 04 me trajner ish-futbollistin e njohur durrsak, Justin Bespalla duke fituar trofeun.

Megjithatë, durrsakët e Bespallës fitojnë trofeun e kategorisë U-17, duke mundur në finale Shkodrën. Gjithsesi, nga gjiri i KF Shkodra del futbollistë më i mirë për këtë grupmoshë, që është Arsed Hoxhaj.

Në futboll femra, kategoria e moshës U-16, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka mundi 3-0 Murlanin, duke merituar kupën e kësaj grupmoshe. Në futbollin e femrave, Armela Rraboshta e KF Murlani, u shpall portierja më e mirë për kategorinë U-16. Armoza Ndoci, po e Murlanit u shpall si mbrojtësja më e mirë.

Arlinda Kodra e Vllaznisë u shpall mesfushorja më e mirë dhe Rosela Vasa e Murlanit, si sulmuesja më e mirë. Lusi Cungu e Vllaznisë cilësohet si futbollistja e së ardhmes. Ndërkohë që, Klaudia Borii e Vllaznisë është vlerësuar si futbollistja më e mirë e turneut.

Organizatorët nderuan me diplomë edhe gjyqtarin Arlind Kastrati për profesionalizmin e treguar në dhënien e vendimeve në fushën e lojës. Ndërkohë që, Pro Prishtina mori diplomën e lojës më të bukur të turneut.

Gjatë ceremonisë së mbylljes së pjesës së parë të këtij turneu, kanë përshëndetur me fjalën e tyre Jetmir Podgorica, organizator kryesor i turneut ndërkombëtar, si edhe Lazër Matija, president i Shoqatës Rajonale Futbollit Shkodër, së bashku me Hysen Zmijani, që drejton Zyrën Rajonale të futbollit në Shkodër.

Ndër të tjera, Podgorica falënderoi edhe Bashkinë Shkodër dhe konkretisht kryetarin e saj, Bardh Spahia, si edhe kryetarin e Kolegjumit të gjyqtarëve të futbollit Shkodër, Dritan Salaj për mbështetjen e dhënë në mbarëvajtjen e aktivitetit.
Maringlen ZHIVANI