19-vjeçarët e Shkodrës kanë bërë detyrën, duke fituar ndeshjen e rradhës dhe duke thelluar diferencën me pikë nga ndjekësi më i afërt në tabelën e renditjes në javën e parafundit të kampionatit. Mesditën e sotme, ata kanë pritur në fushën sportive në Shtoj ekipin e Akademisë Shqiponjat në një ndeshje direkte mes këtyre dy skuadrave, por që natyrisht në fund kanë triumfuar futbollistët e trajnerit Ersi Çaku.

Sa i takon kronologjisë së ndeshjes, në fillimin e takimit ka qenë Shabaj ai që ka zhbllokuar shifrat në minutën e dytë, duke bërë që Shkodra të kalonte në avantazhin e një goli. Ndërkohë, po në pjesën e parë, më konkretisht në minutën e 25-të, do të ishte Hoxhaj ai që do të dyfishonte shifrat.

Pjesa e parë do të mbyllet me këtë rezultat dhe Shkodra do të shkonte në pushimin e ndeshjes me avantazhin e dy golave. Ndërkohë, në fillimin e së dytës, do të ishte sërish Hoxhaj ai që do të trefishonte shifrat. Ndërkohë, Pjetracaj do të shënonte edhe golin e katërt në minutën e 70-të, duke plotësuar në këtë mënyrë fitoren e ekipit të tij në shifrat 4-0.

Me këtë fitore, Shkodra U-19 vazhdon të ruajë vendin e nëntë në renditje. Tashmë pas kësaj fitoreje, ekipi shkodran i drejtuar nga trajneri Ersi Çaku ndodhet në kuotën e 24-pikëve, tetë më shumë se Akademia Shqiponjat e vendit të 10-të, në 21-ndeshje të luajtura deri më tani.

Me fitoren e sotme Shkodra U19 ka siguruar edhe matematikisht qëndrimin e saj në kategorinë e parë, i cili ka qenë edhe objektivi i saj në këtë sezon. /Maringlen ZHIVANI/


U-19: Shkodra-Akademia Shqiponjat 4-0

Golat: Shabaj 2’, Hoxhaj 25’, 47’, Pjetracaj 70’

Formacioni i Shkodra U-19: Vitaj, Nikaj, Rroshullaku, Shabaj, Pjetracaj, Agraja, Hoxhaj, Curraj, Luani (Ujka 54’), Hyseni (Gëlqerja 63’), Zaganjori Tr: Ersi Çaku