Vllaznia do të luajë të mërkurën ndeshjen e rradhës në kampionat ndaj Teutës. Kuqeblutë shpresojnë shumë që të rikthehen tek rezultatet pozitive nga ndeshja e rradhës me durrsakët, duke marrë në konsideratë faktin se tashmë ata mund të konsiderohen një rival direkt për Europën.

Megjithatë, ekipi kuqeblu po vuan një krizë në shumë aspekte në këtë periudhë. Rezultatet e fundit kanë lënë pasoja jo të vogla në aspektin psikologjik në kampin e Vllaznisë, që e sheh veten jashtë Europës për momentin.

Gjithsesi, në kampin kuqeblu ka vijuar normalisht puna gjatë këtyre ditëve dhe shpresohet të merret një rezultat pozitiv ndaj Teutës, pavarësisht vështirësive. Kjo përballje pritet të jetë deçizive për të dyja skuadrat, që tashmë po bëjnë llogaritë duke shpresuar për një vend të katërt në kampionat.

Ndërkohë, pavarësisht mungesave, trajneri Goçe Sedloski do të përpiqet të aktivizojë më të mirët në fushë në ndeshjen ndaj durrsakëve të mërkurën. Padyshim, kjo ndeshje për Vllazninë është jetike. Nëse ekipi kuqeblu nuk arrin të fitojë ndaj Teutës, vendos në rrezik serioz pjesëmarrjen e saj në Europë.

Për të realizuar një objektiv të tillë, Vllaznia dhe trajneri Sedloski kanë kërkuar qetësinë e duhur këto ditë. Megjithatë, përtej kësaj, gjërat nuk po shkojnë siç duhet. Kështu, përveç emrave të Malës dhe Smajlit, listës së dëmtimeve i janë shtuar edhe ato të kapitenit Gurishta dhe poashtu edhe të Balajt, i cili është i dëmtuar. Këto mungesa patjetër që peshojnë shumë për betejën e së mërkurës ndaj Teutës.

Megjithatë, më shumë se mungesat, në Shkodër janë të shqetësuar më së shumti edhe për impenjimin e futbollistëve. Paraqitjet e tyre nuk kanë lënë shije të mirë në ambientin futbolldashës shkodran dhe për më tepër edhe tek specialistët e futbollit.

Rreth ambientit të klubit të Vllaznisë, është krijuar një atmosferë, ku një pjesë e madhe kanë bindjen se futbollistëve, veçanërisht të huajve, pak i intereson ecuria e Vllaznisë. Gjithsesi, të gjithë i kanë drejtuar sytë te ndeshja me Teutën, ku kërkohet reagimi me patjetër.
Maringlen ZHIVANI