Sulmuesi i Kukësit, Sidrit Guri, ishte i ftuar special në emisionin “Zona gol” në “Supersport”, ku ai foli për shumë tema, për skuadrën, të ardhmen dhe Kombëtaren.

Shkodrani është lojtar vendimtar për Kukësin, jo vetëm për golat që po shënon.

Ishte protagonist kryesor i fitores së fundit me Teutën dhe duket se është ai lideri i r ii kampionëve. Ja intervista e tij e plotë:

Cila është skuadra për të cilën bëni tifo?

Unë jam tifoz i Barcelonës dhe fans i Lionel Messit, që sot nuk ishte në fushë. Ai është lojtari më i madh në botë, por edhe Barça është mjaft e konsoliduar si skuadër, një ekip elitar.

Do të doje të kishe një lojtar si Mesi në ekip, i cili dominon lojën dhe mbyll hapësirat për kolegët?

Mesi zgjidh shumë mirë situatat, ndaj e meriton t’i lihet sa më shumë hapësirë.

Pjesa tjetër e skuadrës duhet të punojë për të mbuluar hapësirat boshe dhe për të kompensuar ato që Messi nuk i bën dot.

Pra, për sa kohë që Messi e mban mirë topin, pse të mos e mbajë dhe t’i shërbejë ekipit.

Si e zgjodhe pozicionin ku luan sot në fushë? Ndikoi ndonjë person i caktuar, apo ishte dëshira juaj?

Të gjithë kur janë të vegjël, kanë dëshirë të bëhen sulmuesa, por me kalimin e kohës, kuptojnë që nuk ia dalin dhe tërhiqen më pas.

Unë shyqyr zotit kam bërë mirë në sulm dhe më ka ecur karriera në atë pozicion.

Cili ka qenë trajneri që ju promovoi dhe mbështeti?

Që fëmijë kam qenë pjesë e K.F Akademia Shkodra, në të njëjtin ekip moshash me Hysajn dhe Vajushin dhe aty kemi hedhur hapat e parë të karrierës, ku kemi pasur trajnerë të ndryshëm.

Nga fiziku ngjan më shumë me Cristiano Ronaldon. Mos ke ngatërruar preferencë?

Jo, në fakt Ronaldo është shembulli ideal se si një njeri mund të arrijë shumë lart, nëse punon shumë. Ndërsa Messi është ai që është falë talentit që ka.

Pra Ronaldo duhet të shërbejë si shembull dhe frymëzim për ne futbollistët.

Çfarë ke mësuar nga trajneri Gjoka vitin e kaluar? Po nga Pero Pejiç?

Me profesor Gjokën, por edhe të tjerë, kam mësuar gjithmonë shumë. Gjoka më ka ndihmuar që të piqem profesionalisht dhe të punoj me kokën ulur, duke pranuar edhe stolin, gjë që është shumë e rëndësishme për një lojtar.

Peroja ka qenë një shkollë dhe përveçse më këshillonte, më inkurajonte duke më thënë se unë do të isha pasuesi i tij te Kukësi.

Sa i rëndësishëm është zv. trajneri në një skuadër?

Është shumë i rëndësishëm, pasi është pikërisht ai që bën lidhjen mes trajnerit dhe ekipit.

Duhet të jetë një njeri mjaft i komunikueshëm, që të dijë të ruajë balancat dhe marrëdhëniet me lojtarët.

Ne për fat të mirë kemi Hallaçin, të cilin e kemi pasur kapiten dhe shok skuadre sezonin e kaluar dhe ai e bën në mënyrë perfektë detyrën e tij.

Bisedon qetë me ne dhe ia transmeton çdo gjë me korrektesë trajnerit Pacult.

U ringjalle te Korabi dhe po shkëlqen te Kukësi. Çfarë ka të veçantë kjo zona e verilindjes?

Nuk e di, ndoshta është ajri, por edhe uji më cilësor në këto zona (Qesh)…

Kujt sulmuesi do të doje t’i ngjaje?

Do të doja t’i ngjaja Van Bastenit, sepse jam edhe tifoz holandez. Ka qenë një futbollist i jashtëzakonshëm.

Shkodra ka nxjerrë shumë sulmues. Si shpjegohet kjo?

Ndoshta sepse kemi dëshirë të shënojmë dhe të ndihmojmë ekipin për të marrë fitoret.

Dëshira për të udhëhequr skuadrën, ndoshta ndikon për t’u pozicionuar në sulm.

Gjithsesi, Shkodra dhe Vllaznia kanë nxjerrë lojtarë të mëdhenj edhe në reparte të tjera, jo vetëm në mbrojtje.

Si u transferuat te Kukësi?

Thjesht kisha bërë një sezon të mirë në Kategorinë e Parë me Korabin dhe pastaj Dritan Dervishi, që ishte Drejtor Sportiv i Kukësit, më sugjeroi t’i bashkohem Kukësit.

Deri tani jam shumë i lumtur për zgjedhjen që kam bërë sepse çdo gjë po shkon mirë.

Shumë thonë se ti je i denjë për t’u grumbulluar në Kombëtare. A mendoni se është viti i duhur ky, apo duhet të largohesh nga Kukësi, për të marrë ftesë në Kombëtare?

Nuk mendoj se duhet të largohem nga Kukësi për të marrë ftesën. Kombëtarja duhet të ketë vëmendje edhe në Kategorinë Superiore, pasi është një shtysë më e madhe edhe për ne.

Duhet të stimulohen edhe lojtarët këtu, jo thjesht të thirren lojtarët pa ekip, për t’u ndihmuar.

A ju ka mbërritur një ftesë për miqësoren me Norvegjinë?

Deri tani jo, por uroj të jetë rrugës. Do të lumturohesha shumë, po të ftohesha në Kombëtare.

A zhvilloni përgatitje të veçantë, në krahasim me pjesën tjetër të skuadrës?

Trajneri Pacult ka qenë sulmues në karrierën e tij dhe me të komunikoj shpesh.

Më këshillon dhe më ka mësuar shumë lëvizje në fushë, ndaj edhe rezultatet po shihen.

Unë mendoj se edhe Kategoria Superiore ka shumë nivel dhe konkurrencë, ndaj edhe këtu ka element që mund të japin kontributin e tyre në kombëtare.

Si ka qenë eksperienca juaj me ekipet e moshave të Kombëtares?

Me U-17 nuk kam qenë pjesë, ndërsa me U-19 kam luajtur një edicion si titullar, me trajnerin Skënder Gega.

Edhe te Shpresat u ftova në 2-3 ndeshje, por nuk luajta më pas, tejkalova moshën.

Ke pasur oferta nga jashtë?

Kemi pasur shumë bisedime me klube të ndryshme, por tani jam përqendruar të luaj sa më shumë dhe të bëj sa më mirë te Kukësi.

Edhe klubi ka pasur ofertat e veta për mua, por të shohim. Gjithashtu, kam edhe favorin që kam pasaportë italiane, pra nuk jam ekstrakomunitar në Europë.

Pse nuk festuat kur shënuat ndaj Vllaznisë?

Nuk kisha arsye për të festuar, pasi është skuadra ku unë kam hedhur hapat e parë në karrierë dhe është qyteti im, ndaj e ndjeva se duhet ta respektoj.

Si profesionist kisha detyrë të shënoja, por si futbollist shkodran duhet të respektoja skuadrën dhe publikun.

Ku e shikoni veten në të ardhmen?

Edhe një vit jam i lidhur në kontratë me Kukësin, ndërsa më pas kam dëshirë të provoj veten në një kampionat më të fortë dhe më të vështirë sesa Kategoria Superiore.

Nuk lë Shqipërinë për një kampionat të një niveli të përafërt.

Si i keni marrëdhëniet me Gjicin?

Gjici është shumë kërkues dhe kjo është normale, por edhe një motivim për ne. Ka bërë shumë mirë që na ka sjellë Nexhipin, pasi ai është njeri i futbollit dhe kemi mundësi të flasim më mirë për shqetësimet tona dhe të ndihemi më mirë psikologjikisht./vipsport/