Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se shorti për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë 2020-2021 do të hidhet sot në orën 10:45.

Shorti do të zhvillohet në ambientet e stadiumit “Air Albania”, në sallën e konferencave për shtyp dhe do të jetë i hapur për mediat, por në respektim të masave kufizuese të vendosura për shkak të pandemisë COVID-19.

Nga shorti do të përcaktohen katër çiftet, ndërkohë që është parashikuar që ndeshjet e kësaj faze të luhen më 17 mars.

Siç është bërë tashmë e ditur skuadrat e kualifikuara do të përcaktohen me një ndeshje dhe jo me sistem vajtje-ardhjeje.

Sezonin e shkuar ishin durrsakët që ngritën trofeun, ndërsa këtë sezon disa skuadra të mëdha nuk janë në lojë. Bylisi, Tirana, Kastrioti dhe Apolonia janë katër skuadrat e Superiores që nuk janë pjesë e këtij kompeticioni.

Skuadrat e kualifikuara për në fazën çerekfinale janë: Korabi, Laçi, Teuta, Dinamo, Kukësi, Skënderbeu, Partizani dhe Vllaznia.