Humbja me Burrelin nuk do të kalojë pa masa në Vlorë. Futbollistët që kanë qenë larg pritshmërive do të ulen në stol ndaj Korabit. Është ky vendimi që kanë marrë në klub dhe këtë e konfirmon vetë Sinan Idrizi për “Panorama Sport”.

Administratori për momentin fajin ia faturon ekipit, por ka edhe një mesazh të qartë për trajnerin. Emiljano Çelës i kujton se e mbajnë rezultatet.

“Unë nuk e fyej Burrelin, pasi mirë apo keq e merituan fitoren. Jo vonuan lojën, jo nuk e vonuan, kjo është gjë koti. Ne jemi një ekip i ndërtuar për Superiore.

Ne duhet që të jemi të qartë dhe të mos aludojmë. Asnjë nga organizatorët e futbollit në Shqipëri nuk e do Flamurtarin në Superiore. Skemat janë bërë gati. Në vendin tonë dihet kush hyn e kush del.

Shikojini disa ndeshje si i finalizojnë arbitrat. Përgjegjësia është individuale. Por në këto kushte kur të gjithë këta i kemi kundër, futbollistët tanë duhet që të japin 150% në fushën e lojës”, thekson ai.