Ish-kapiteni i Chelseat, John Terry, ka zbuluar se ka hequr dorë nga ëndrra e tij për të qenë trajner i “Bluve të Londrës” një ditë.

Terry, i cili më parë ka punuar si asistent tek Aston Villa, u kthye në “Stamford Bridge” këtë verë për të marrë një rol trajneri në akademinë e Chelseat.

Por pavarësisht se punon në klub, ai nuk mendon më të menaxhojë ekipin e parë, një ëndërr që e kishte dashur për një kohë shumë të gjatë.

Duke folur për Chronicle Live, ish-reprezentuesi anglez tha: “Tani e kam kuptuar që nuk do të ndodhë. Një ëndërr që pata kur u largova nga Chelsea ishte që do të kthehesha si trajner, por tani e di që nuk do të ndodh. Më lëndon dhe do të jetë vazhdimisht në mendjen time.”

Mbrojtësi zbuloi gjithashtu se ai ishte intervistuar nga Newcastle United për rolin e menaxherit në vitin 2021 përpara se të emëronin Eddie Howe në krye.

“Kur u largova nga Villa, aplikova për dy ose tre vende pune. Dhashë një intervistë për Newcastle dhe për disa klube tjera por që nuk u bë. Ishte një proces vërtet i mirë për mua, sepse ju mësoni se si të prezantoni në ato takime”, përfundoi Terry.

Skuadra e Mauricio Pochettinos do të përballet me Blackburn Rovers në një ndeshje të 1/16-tës së Carabao Cup të mërkurën./Telegrafi/