Drejtuesit e klubit shkodran, më në fund kanë dalë hapur kundër trajnerit të tyre Rudi Vata. Nëse deri sot, ata ishin frenuar për të mos krijuar polemika që ndoshta nuk do ndikonin për mirë në ecurinë e skuadrës, tashmë ata nuk kanë më gjë për të ruajtur. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak Shkodër, këshilltarë të ndryshëm duke qenë disi kundër kalimit në çdo mbledhje të këtij këshilli, të shumave financiare për ekipin e futbollit, kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre në lidhje me rezultatet e skuadrës. Madje ato kanë shkuar deri aty, saqë kanë thënë se më mirë do ishte që këto lekë të miratuara për futbollin, të kalojnë për sportet e tjera për rezultate më të larta sportive. Pikërisht në lidhje me këtë çështje, nënkryetari i Bashkisë Ritvan Troshani, që është njëkohësisht edhe kryetar i Bordit Mbikëqyrës të shoqërisë aksionere Vllaznia, duke u ndalur tek mosecuria e duhur e ekipit të futbollit, ka fajësuar për këtë trajnerin Rudi Vata që e ka konsideruar shkaktarin kryesor të dështimit të Vllaznisë në merkaton e janarit dhe të rezultateve jo të mira të skuadrës. “Nëse nuk kemi rezultatet e duhura me skuadrën, sigurisht që pjesën kryesore të fajit e ka trajneri. Ai nuk ka arritur të gjejë lojtarët e duhur në merkato ndonëse ka patur të drejta të plota në vendimmarrje. Klubi i ka lënë çdo gjë në dorë atij dhe nëse kemi dështuar, sigurisht që fajtori kryesor është trajneri”. Pas sqarimit të nënkryetarit Troshani, ndonjë nga këshilltarët ka hedhur idenë e largimit të trajnerit meqë është ai fajtori dhe këtë gjë e ka pranuar edhe vetë numri 2 i Bashkisë kur ka paralajmëruar se në fund të sezonit, ai do largohet teksa ka thënë: “Sapo të mbarojë kontrata që ka”. Tashmë çdo gjë është e qartë. Rudi Vata pas 31 majit nuk do jetë më trajner i Vllaznisë pavarësisht se në çfarë pozicioni renditet skuadra në fund të kampionatit. Drejtuesit e Bashkisë që janë njëkohësisht edhe drejtuesit e klubit këtë sezon, ia faturojnë trajnerit dështimin e skuadrës në mosarritjen e objektivave të saj. Kryesisht për merkaton e dobët që ka zhvilluar në janar teksa sipas tyre, ai ka patur të drejta të plota vendimmarrjeje. Me miratimin e Vatës në fakt erdhën në skuadër lojtarët Brnoviç, Moreno, Vuk dhe Jabllan. I pari, ndonëse shquhet për vlerat e tij, ka ardhur në një formë jo të mirë sportive dhe më shumë ka mbetur jashtë fushës sesa e ka ndihmuar skuadrën, pikërisht edhe për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme. Tre të tjerët, luajtën edhe sot në fushë ndaj Pogradecit dhe si për ta miratuar ndoshta këtë konkluzion të nënkryetarit Troshani, të tre ata janë paraqitur dobët. Moreno është larguar sapo ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes, ndërsa Vuk dhe Jabllan në minutat e para të së dytës. Në vend të tyre kanë hyrë 18-19 vjeçarët shkodranë Dema, Erkoçeviç dhe Guri që sollën një lojë ndryshe të Vllaznisë në ato minuta. U pa një skuadër krejt ndryshe në fushë, kjo edhe për meritë të këtyre djemve të rinj shkodranë ndërsa mbi 70 mijë euro të shpenzuara për 4-5 muaj në merkaton e janarit, nuk po japin asnjë kontribut në skuadër. Vata në fakt, pak ditë më parë në një emission televiziv, I mbrojti blerjet e janarit duke mos e cilësuar aspak të dështuar merkaton e zhvilluar. Krejt ndryshe mendojnë Troshani dhe drejtuesit e tjerë të Vllaznisë. “Krisja” tashmë është e qartë. Mbetet vetëm të presim 31 majin për të parë divorcin e Rudi Vatës me këtë skuadër.

www.shkodrasport.com