Mesfushori shkodran Alsid Tafili ka shënuar sërish për Lirinë e Prizrenit. Ka ndodhur kështu në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në Gjakovë ndaj Vllaznimit vendas. Të parët kaluan në avantazh vendasit ndërkohë që Tafili ka arritur të barazojë shifrat në 1-1 në minutën e 61-të të ndeshjes pas një gjuajte të bukur në hyrje të zonës. Ndeshja u duk se do të mbaronte në barazim por gjyqtari i ndeshjes në minutat e fundit ka akorduar një 11-metërsh të paqenë për Vllazninë që është kundërshtuar fuqishëm nga prizrenasit megjithatë ai është ekzekutuar dhe ka përfunduar në rrjetë. Në këtë mënyrë ndeshja është mbyllur 2-1 për gjakovarët, të cilët mbajnë vendin e dytë në renditje pas kësaj jave ndërsa Liria ndodhet në të tetin me 27 pikë.

Megjithatë, ajo që vlen për t’u përmendur është se forma e Tafilit është shumë e mirë dhe ai është pika kryesore e referimit për lojën e Lirisë. Ndonëse luan në mesfushë, ai ka arritur të shënojë plot 5 gola që nga fillimi i shkurtit (4 në kampionat dhe 1 në kupë). Kjo tregon se ai është lideri i kësaj skuadre tek i cili i kanë sytë të gjithë drejtuesit e skuadrës. Pikërisht kjo formë e mirë sportive e tij, sigurisht që mund të jetë një sinjal edhe për Vllazninë sepse po flitet shumë rreth mundësisë së kthimit të tij në Shkodër sezonin e ardhshëm.

www.shkodrasport.com