Shpëtim Duro është i qartë për projektin që ka tek Egnatia. Pak orë pas prezantimit ai ka zhvilluar një takim me lojtarët dhe u ka bërë të qartë se duhet të jenë seriozë në çdo ndeshje. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i ri i rrogozhinasve nuk e shmang edhe ndeshjen me Kukësin këtë të shtunë, skuadër të cilën e ka drejtuar pak kohë më parë.

Së pari, urime për detyrën si trajner i Egnatias. Si erdhi ftesa dhe dakordësia juaj me presidentin Demrozi?

Faleminderit për urimin. Ka qenë një dakordësi e shpejtë. Një ditë pas ndeshjes me Teutën pati një takim dhe ramë dakord për këto gjëra që diskutuam. Kështu, arritëm në konkluzionin të vazhdojmë të drejtoj Egnatian për këtë sezon. Më pas të shohim për të ardhmen se si do të shkojnë punët.


Sot bëtë prezantimin. Çfarë vutë re dhe a patët një apel fillestar për grupin e futbollistëve?

Sot bëra prezantimin dhe nga ajo që kam dëgjuar, por dhe vura re, e ndoshta kjo më ka shtyrë më shumë, kushte shumë të mira. Sepse ju e dini që unë kam kaluar shumë skuadra, por kushtet, organizimi, infrastruktura për stërvitje dhe angazhimi i gjithë atyre që ishin rreth klubit, ishin perfekte. Apel pata te futbollistët, sepse është një skuadër që është investuar dhe sezonin e kaluar, por edhe këtë sezon, nuk janë aty ku duhet, sa u përket rezultateve. Por, sigurisht futbolli ka ato kapriçot e veta, pak për gabimet e lojtarëve, pak për çështje fati dhe kemi këtë situatë që është momentalisht. Bëra apel duke pasur parasysh që të gjithë këta futbollistë duhet të kontribuojnë jashtëzakonisht shumë, duke pasur kujdesin dhe respektin nga ana e presidentit dhe drejtuesve të klubit.


Ju pret një sfidë e vështirë që në prezantim. Me Kukësin që në tri javët e fundit ka marrë tri fitore. Si do ta përgatisni këtë sfidë ndaj një ekipi që e keni drejtuar disa kohë më parë?

Patjetër që përballja me Kukësin është delikate, sepse edhe Kukësi është një skuadër që çdo vit investon e po ashtu edhe këtë vit ka investuar shumë. Patën një ngërç në ndeshjet e para, por tani po kalojnë një moment shumë të mirë. Por, çdo ndeshje është e vështirë. Unë e kam thënë që kampionati ka shumë rivalitet. Edhe sot Kukësi fitoi me meritë, por edhe Erzeni ka bërë një ndeshje shumë të mirë. Duhet ta theksojmë edhe këtë se për mua ndeshja me Kukësin është e veçantë, sepse kam shumë miq, të njohur, sidomos nga ana e stafit që punojnë me Kukësin.


Cilën gjë keni ndërmend të ndryshoni fillimisht: skemën e lojës apo ndonjë lojtar që mbase nuk ka dalë ende mirë në pah?

Patjetër, është po ajo skuadër, sepse tani nuk ke asnjë mundësi për ndryshim. E rëndësishme është që të ketë dhe lojtarë të tjerë, por do të shikojmë gjatë stërvitjes dhe gjatë ndeshjeve në vazhdim. Nuk mund të bësh ndryshime të shumta, sepse edhe ndeshjen e fundit, për mendimin tim përballë Teutës skuadra e Egnatias ka luajtur shumë mirë, por në fund ishte çështje menaxhimi, që humbën atë takim. Kanë potencial, por mua nuk më intereson potenciali si epitet. Dua që potencialin ta shprehin në fushë, përndryshe do të ketë ndryshime pastaj edhe nga ata futbollistë, çuna të rinj, që nuk kanë luajtur asnjëherë. Unë dua futbollistë që të jenë seriozë dhe të japin shpirtin në fushën e lojës.