Ardit Krymi përshëndeti Vllazninë këtë verë për të kaluar te Shahjtor Soligorski në Bjellorusi, aty ku me ekipin e tij udhëheq kampionatin që mbaron pas 6 javësh. Në një intervistë për “Panorama Sport” Krymi tregon ndryshimin që ka kampionati me Superioren, por gjithashtu shprehet se do të dëshironte që të përfaqësonte Kombëtaren shqiptare.


Ardit, si po shkon aventura juaj në Bjellorusi?

Deri tani po shkon shumë mire. Kemi edhe gjashtë javë në kampionat dhe mendoj se muajt e parë kanë ecur mirë. Normal që duhet koha e duhur për t’u përmirësuar dhe për t’u ambientuar me vendin, por në përgjithësi mund të them se ka shkuar mirë.


Keni arritur që të përshtateni duke qenë se tani jeni në një kampionat tjetër?

Po, jam përshtatur, pavarësisht se ka ndryshim me kampionatin tonë, këtu punohet fizikisht më shumë, më ka ndihmuar shumë me përshtatjen Valon Ahmeti, por në përgjithësi edhe çunat më kanë pritur mirë.


Çfarë ndryshimi ka nga Superiorja kampionati bjellorus?

Në krahasim me Superioren ndryshon përgatitja fizike, këtu mund të them se vrapohet më tepër dhe punohet më tepër fizikisht. Vetëm kjo bën ndryshimin.


T’ju pyes pak për Vllazninë, e keni ndjekur këtë sezon, si ju është dukur?

Patjetër që e kam ndjekur, unë jam tifozi numër 1, nuk bëhet fjalë. Mendoj se me ndryshimet që janë bërë dhe me të rinjtë që kanë ardhur është ekipi kryesor për titullin kampion. Pavarësisht se do kohën e vet, kanë ardhur lojtarë të rinj dhe mendoj që me kalimin e javëve do të ngjiten në majën e tabelës.


Kombëtarja luan pas disa ditësh dhe ka plot emra të rinj që mund të thirren, keni marrë ju një ftesë?

Jo, nuk më ka kontaktuar askush dhe nuk më ka ardhur një ftesë. Normalisht kush nuk e pranon Kombëtaren, është diçka që çdokush e dëshiron dhe një ëndërr. Por kështu është futbolli, duhet të punosh fort për të arritur deri te ekipi kombëtar.

Çfarë mendoni se duhet të bëjë Krymi më shumë që të angazhohet edhe në përfaqësuese?

Të punojë për vete që të arrijë sa më shumë suksese në futboll, besoj që me pas do të vijë edhe Kombëtarja.


Çfarë objektiva keni me klubin dhe aspektin personal?

Me klubin kanë ngelur edhe 6 javë, besoj jemi në rrugën e duhur drejt titullit kampion, pasi dhe aktualisht jemi në vendin e parë. Do të bëjmë maksimumin dhe besoj se do ja dalim.