Vllaznia arriti të marrë një fitore të merituar ndaj Laçit me rezultatin e thellë 4-1, duke iu afruar kështu edhe më shumë kreut.
Minuta kishte edhe për afrimin më të ri, Bekim Balajn, i cili hyri në lojë pak pas fillimit të pjesës së dytë, i shoqëruar nga duartrokitjet e shumta shkodrane, pavarësisht se nuk arriti dot të shënonte.
Rikthimi i tij në Shkodër duket se ka sjellë një frymë të re dhe entuziazëm të shkodranët, por jo vetëm.
Pas ndeshjes, Balaj foli vetë për ndjesinë e rikthimit në shtëpi dhe debutimit më skuadrën e tij të zemrës.
‘Emocionet janë të mëdha dhe sidomos ato që të jep tifozëria shkodrane. Më vjen mirë që u ktheva në Shkodër me një fitore. Dëshira për të shënuar ishte e madhe, natyrisht, por i rëndësishëm mbetet trepikëshi që morëm dhe ndeshja e bukur që realizuam sot. Normalisht që mbështetja në Shkodër ka qënë gjithmonë shumë e madhe.
Jam rikthyer në shtëpinë time. Shpresoj që këtë vit të arrijmë t’i gëzojmë të gjithë. Ne shohim ecurinë tonë, do t’i marrim ndeshjet një nga një.
Jemi në një moment të mirë, si në kampionat, edhe në kupë dhe shpresoj ta mbajmë sa më gjatë këtë ritëm. Është çeshtje ditësh që të rikthehem në formën time më të mirë dhe të jem ndihmë për skuadrën që nga minuta e parë”.