Shqipëria U-17 e femrave ka mbyllur me fitore ndaj Maqedonisë së Veriut raundin e dytë të Kampionatit Europian U-17 për femra të zhvilluar në vendin tonë. Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, vajzat kuqezi mundën me shifrat 4-2 skuadrën maqedonase, një fitore tërësisht e merituar pas paraqitjes së shkëlqyer të tyre në fushë.

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Agustin Kola hodhi në fushë këtë formacion: Synaj, Maxhalaku, Vasa, Bilinishta, Shporaj (Habili 27’- Bogdani 88’), Coka, Reshiti, Kodra, Methoxha, Borci (Cenaj 88’), Muça (Kananaj 95’).

Shqipëria e nisi mbarë ndeshjen, teksa futbollistja e KF Murlanit Rosela Vasa zhbllokoi rezultatin që në minutën e parë të takimit, pas një krosi të ardhur bukur nga Methoxha, që u shfrytëzua në mënyrë të saktë nga mbrojtësja kuqezi, që u gjend mirë në zonë. Edhe pas golit të parë, skuadra tenton të luajë përpara, por ndëshkohen në minutën e 14-të nga Pavlovska, e cila realizon golin e barazimit.

Kjo nuk e vë në vështirësi ekipin e drejtuar nga Agustin Kola, që vazhdon të kërkojë golin e epërsisë, teksa e gjen në minutën e 29-të Anversa Muça, e cila dyfishon shifrat për Shqipërinë. Skuadra krijon edhe disa raste të tjera, por fraksioni i parë i lojës mbyllet në avantazhin e Kombëtares me rezultatin 1-2.

Me nisjen e pjesës së dytë të lojës, vajzat kuqezi tregohen sërish më superiore, duke krijuar sërish raste, teksa në minutën e 58-të, futbolistja e Vllaznise Arlinda Kodra gjen golin e tretë për skuadrën, pas një goditjeje nga jashtë zone, që i jep më shumë siguri vajzave dhe trajnerit Kola. 12 minuta më vonë, Sela ngushton rezultatin për maqedonaset, duke tentuar të rikthejnë gëzimin në kampin kundërshtar, mirëpo në minutën e 70-të, Muça realizon golin e katërt për skuadrën kuqezi, si dhe golin e dytë personal, duke vulosur shifrat në 2-4.

Ky ishte suksesi i dytë i vajzave kuqezi në këtë grup, ku ishin shortuar së bashku me Skocinë, Maqedoninë e Veriut dhe Azerbajxhanin. Në ndeshjen e parë në grup, Shqipëria triumfoi ndaj Azerbajxhanit 1-0, teksa në sfidën e dytë u mund nga Skocia. Kombëtarja shqiptare u rendit e dyta në grupin B3 në me gjashtë pikë, me dy fitore dhe një humbje, teksa në vendin e parë renditet skuadra e Skocisë.

Të gjitha ndeshjet u zhvilluan në vendin tonë, në stadiumet “Elbasan Arena” në Elbasan dhe “Egnatia” në Rrogozhinë, nën kujdesin e plotë të Federatës Shqiptare të Futbollit, që ka organizuar me sukses disa aktivitete të këtij niveli europian dhe po pret të zhvillojë edhe disa të tjerë përgjatë këtij viti, që kulmojnë me finalen e madhe dhe historike të “UEFA Europa Conference League”.