Shqipëria e 19-vjeçarëve, e drejtuar nga trajneri Armando Cungu, ka luajtur pasditën e sotme ndeshjen e parë vëllazërore me Kosovën në Egnatia Arena, një miqësore në kuadër të grumbullimit që kuqezinjtë po zhvillojnë si përgatitje për turneun e UEFA, që do të zhvillohet në Belgjikë në muajin shtator, ku skuadra e Cungut do të luajë ndaj Belgjikës, Spanjës dhe Rusisë.

Fraksioni i parë i lojës ishte i barabartë në lojë, me të dy skuadrat që tentuan shumë herë t’i afrohen portave respektive për të gjetur avantazhin, avantazh që e gjeti Kosova në minutën e 28-të. Ky gol vendosi edhe pjesën e parë që u mbyll 0-1.

Në fillimin e pjesës së dytë, Kosova gjeti edhe golin e dytë në minutën e 55-të. Në vazhdim, kuqezinjtë morën kontrollin e lojës në dorë dhe iu afruan shumë herë golit që do të rihapte ndeshjen, por pa arritur të finalizojnë me sukses.

Kështu, e gjitha ndeshja u mbyll me rezultatin 0-2 në favor të Kosovës U19. Ky test i parë miqësor i ka vlejtur shumë trajnerit Cungu për të parë shumë lojtarë të rinj, që i janë bashkuar për herë të parë skuadrës. Më datë 28 mars do të luhet testi i dytë, përsëri në Egnatia Arena të Rrogozhinës dhe përsëri ndaj Kosovës U19.

Formacioni i Shqipëria U19: Dema, Torraj, Hysaj, Abazaj, Batzelis, Azizi, Shkurti, Daka, Ndoci, Lika, Toma (u aktivizuan: Zabeli, Talebi, Topi, Gjoka, Nako, Musaj, Tozaj) Tr: Armando Cungu

Maringlen ZHIVANI