Shanset e Shqipërisë U21 për t’u kualifikuar në Europianin e kësaj grupmoshe kanë marrë një goditje të rëndë sot teksa skuadra e drejtuar nga Alban Bushi është mundur në “Air Albania” me shifrat 3-1 përballë Zvicrës.

Një humbje që ka ardhur si pasojë e pavëmendjeve kuqezi në goditje standarte, nga të cilat erdhën tre golat e kundërshtarëve, por ndoshta edhe zgjedhjeve të gabuara taktike pasi skuadra nuk prodhoi aksione sulmuese në pjesën e parë, me të vetmin rast të rrezikshëm të krijuar në minutat shtesë.

Fizionomia e lojës ndryshoi me aktivizimin e Shpendit, Selimajt e Frrokut në pjesën e dytë, pasi Shqipëria krijoi lojë e raste, por u godit në dy goditje këndi ku harroi kundërshtarët të lirë në zonë. Goli i Shpendit në fund ishte ngushëllim për sulmuesin, por nuk ndikoi në fatin e ndeshjes, pasi Zvicra fitoi dhe mori kreun e grupit, kurse Shqipëria tashmë është në vendin e katërt.

U21/ SHQIPËRI-ZVICËR 1-3
90’+3′ Shpendi / 29′ Surdez, 59′ Sançez, 76′ Keller