Një leksion i pastër futbolli i është dhënë Shqipërisë nga Kosova, duke u mundur me rezultatin 0-3 në Zyrih.

Ndeshja e sotme mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të konsiderohej një “vëllazërore në letra”, pasi dy përfaqësueset kërkojnë me çdo kusht të sigurojnë fitore në këtë duel shumë të rëndësishëm për moralin dhe vazhdimësinë e projektit nën drejtimin e Panuçit dhe Shaland.

Panuçi zgjodhi të hedhë sot në fushë që nga minuta e parë dy debutuesit Ndoji dhe Guri, duke shpresuar se dëshira e tyre do të bënte diferencën në një rreshtim ku mungonin shumë nga titullarët e zakonshëm.

Nga ana tjetër, Shaland i ka besuar një rreshtimi shumë ofensiv, me emra si Rashica, Avdijaj, Zeneli e Muriqi që luajnë të gjithë që nga minuta e parë e takimit së bashku, me dëshirën për të shënuar në portën e Berishës.

Megjithatë pjesa e parë ishte totalisht për t’u harruar nga ana e kombëtares shqiptare, që ka marrë 45 minuta leksioni të futbollit nga ana e lojtarëve të Kosovës.

Ujkani ka qenë i pashqetësuar gjatë gjithë pjesës së parë, ndërsa përpjekjet e Roshit, Cikalleshit dhe Gurit, kanë rezultuar të dështuara.

Nga ana tjetër nuk mund të flitet njësoj për Berishën, që shpëtoi pësimin e golit të parë në rastin e Avdijajt, por duke u dorëzuar përballë Zenelit që shënoi në minutën e 20.

Panuçi ndërhyn me dy zëvendësime pa u mbyllur ende pjesa e parë, duke larguar Qakën dhe Roshi, ndërsa kjo tregon më së miri se italiani ka nisur të mendojë ndryshe pas kësaj paraqitje në këto minuta.

Pjesa e dytë ishte vazhdimi i së parës, teksa Zeneli ka gjetur dopietën nëpërmjet një aksioni fantastik, përpara se të vinte momenti i Zhegrovës.

Ky i fundit ka gjetur momentin edhe për të bërë edhe “Freestyle” përpara syve të Veselit, duke treguar më së miri se pavarësisht asaj që pritej, leksionin e morri Shqipëria.