Është shndërruar në një “legjendë” në Rrogozhinë. Ndriçim Shtubina në tri sezone radhazi ka arritur shumëçka. Kampion në Kategorinë e Parë në sezonin 2019-2020, kur ishte kapiten dhe një sulmues, që më golat e tij rezultoi vendimtar.

Ndërkohë, eksperiencën pozitive në përfaqësimin e parë në Kategorinë Superiore në sezonin e shkuar (e pati sërish si futbollist, ndonëse, kushtëzuar edhe nga mosha, ai luajti disi më pak. Pas këtij momenti ai logjikoi se ka ardhur drejt fundit të karrierës dhe në fund të sezonit të shkuar vendosi të varë këpucët në gozhdë. Pas kësaj, Egnatia nxitoi të mos e largojë nga gjiri i saj dhe vendosi t’i japë rolin e drejtorit sportiv, ku duket se ka mjaft aftësi, pasi ka arritur të ndërtojë një skuadër mjaft të fortë. Në një intervistë për “Panorama Sport” shkodrani rrëfen për eksperiencën e tij të re dhe atë që po kalon në këtë sezon të parë si drejtor në Rrogozhinë. Ish-lojtari i Vllaznisë tregon edhe strategjinë me të cilën ka punuar për të ndërtuar skuadrën.

Po mbyllni vitin 2022 me eksperiencën tuaj të parë si drejtor i Egnatias. Si e keni përjetuar?

Për mua është diçka shumë pozitive që këtë pjesë të parë të sezonit aktual kemi pasur disa suksese, që i tregon renditja në kampionat dhe kalimi në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Është ndryshe pozita si lojtar në fushë dhe krejt ndryshe të jesh në pozicion drejtuesi.

Mund të na thoni diçka mbi forcën e këtij ekipi?

Kjo skuadër aktuale nuk ka ardhur rastësisht deri këtu. Është ndërtuar me kujdes, madje me shumë kujdes do të shtoja, që nga fillimet në startin e sezonit. Motivi ynë kryesor në gjithë këtë proces ka qenë që pika jonë më e fortë të jetë grupi dhe harmonia e tij.

Drejtuesit e Egnatias kanë arritur të ndërtojnë ambiente dhe të ofrojnë kushte komode. Ju ka ndihmuar ky fakt për të bindur lojtarët?

Unë kam qenë gjithnjë në krahë të investimeve shumë të mëdha që ka bërë presidenti i klubit tonë, Agim Demrozi. Idetë dhe realizimet e tij janë shumë të prekshme. Skuadra punon në kushte shumë të mira. Prandaj mund të them se po, sigurisht që më ka ndihmuar.

Cili është projekti që keni gati për një vazhdimësi edhe më të mirë deri në mbyllje të këtij sezoni?

Nuk është sekret tashmë të them se ne kemi një projekt edhe më afatgjatë. Unë, por jo vetëm, të gjithë aktorët e faktorët që na rrethojnë, mendoj se do t’ia dalim për ato që ne kërkojmë të arrijmë edhe gjatë vitit 2023. Duam dhe do të luftojmë fort për të justifikuar gjithë djersën e derdhur dhe investimin e bërë.

Keni një urim për festat e fundvitit?

Uroj në këtë fundvit, gëzuar e suksese të gjithë atyre që kanë punuar e po punojnë shumë për këtë Egnatia, duke mos harruar, përkundrazi duke vlerësuar shumë edhe tifozët tanë të mrekullueshëm, që na kanë mbështetur në mënyrë shembullore.