Në ndeshjet e para të këtij sezoni, në formacionin e Vllaznisë po spikat një emër: Silvio Zogaj. Mbase shumëkush është çuditur me praninë e tij aty sepse nuk ka patur shumë informacion për këtë gjë.

Dikush e konsideronte “blerje” por në fakt, lezhjani 21 vjeçar është rritur tek Akademia Vllaznia. Fotoja e këtij shkrimi e vërteton më së miri këtë gjë.

I përket vitit 2014 kur Vllaznia U-17 shpallej kampione e Shqipërisë. Në foto është Zogaj me përgjegjësin teknik të Akademisë Alban Neziri.

Lojtari ishte pjesë e rëndësishme e atij ekipi dhe në fund i është gëzuar medaljes së kampionit. Ky futbollist pas një “shtegtimi” në Gjirokastër dhe Laç është kthyer sërish aty ku është rritur dhe po jep kontributin e tij për Vllazninë.

Kuptohet që në ndeshjet e ardhshme pritet një paraqitje edhe më e mirë e tij sepse tashmë Silvio Zogaj ka fituar besimin e të gjithëve tashmë.
© shkodrasport.com