Ditën e nesërme në Tivar të Malit të Zi do të zhvillohet mitingu tradicional ndërkombëtar i përvitshëm ku do të marrin pjesë edhe disa sportistë shqiptarë mes të cilëve dhe Kampioni i Europës Izmir Smajlaj. Sportisti shkodran është nisur që pasditen e sotme drejt shtetit fqinj dhe natyrisht që pretendimet e tij për garën e nesërme janë të larta. Madje, sipas tij përveçse synon vendin e parë dhe marrjen e medaljes së artë, ai padyshim që do të tentojë edhe thyerjen e rekordit të garës së kërcimit së gjati. Këtë e ka bërë të ditur në një prononcim për gazetën “SHKODRA SPORT” kur shprehet:

“Si çdo vit, edhe këtë herë do të marr pjesë në mitingun e Tivarit. Nga informacionet që kam, në edicionin e sivjetëm do të marrin pjesë rreth 15 sportistë në garën e kërcimit së gjati dhe ato vijnë nga shtete të ndryshme të Europës megjithatë për mua kjo nuk përbën asnjë problem. Objektivi im është padyshim zënia e vendit të parë por padyshim që do të synoj të kërcej edhe mbi 8 metra dhe të tentoj thyerjen e rekordit të kësaj disipline. Forma ime sportive është e mirë dhe prandaj do të mundohem të paraqitem sa më mirë”. Përveç Smajlajt, në këtë mitingu do të marrin pjesë edhe sportistë të tjerë të Vllaznisë si Bajram Muça e ndonjë tjetër, të cilët edhe ata kërkojnë të futen në zonën e medaljeve.

© shkodrasport.com