Stadiumet janë kthyer në një problem për skuadrat e Superligës shqiptare. Shumë prej tyre nuk arrijnë që të plotësojnë standardet e kërkuara, teksa të tjerë i janë nënshtruar riparimeve, por edhe po ndërtohen nga e para, siç është ai i Kukësit. Kjo ka bërë që ekipet elitare të mos kenë shumë alternativa për zhvillimet e ndeshjeve të tyre.

“Air Albania” është shndërruar në shtëpinë e ekipeve të kryeqytetit, teksa bëhet stadiumi i katërt në vend që nuk është i gatshëm të presë ndeshjen, pas “Selman Stërmasit”, “Niko Dovanës” dhe “Kukës Arena”. Tashmë impianti modern do të nisë përgatitjet për finalen e Conference League më 25 Maj.

Mbyllja e impiantit më modern në vend dëmton ekipet kryeqytetase, për shkak se tashmë nuk kanë asnjë stadium në dispozicion në Tiranë. Aktualisht, “Elbasan Arena” është destinacion për disa skuadra, me të cilave edhe Teuta e Kukësi, të cilët po presin prej muajsh të kenë gati fushat e impianteve të tyre.

Në situatën aktuale vetëm 4 klube nga 10 të Superiores kanë fatin të luajnë si pritës në qytetet e tyre. Bëhet fjalë për Laçin, Vllazninë, Egnatian dhe Skënderbeun.