Në ndeshjen ndaj Egnatias, Vllaznia hyri në fushë me disa mungesa kryesore. Josës iu desh të zëvendësonte për shkak dëmtimesh komplet linjën e majtë, Hakaj dhe Latifi, të cilët janë projektuar si titullarë këtë sezon.

Ndërkohë, në prag të përballjes me Kastriotin në Shkodër, Esin Hakaj është bashkuar me grupin dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen që do të luhet të dielën në “Loro Boriçi”, në orën 17:45.

Ndeshja kundër Kastriotit do të jetë shumë e vështirë, por në Shkodër janë shumë të përkushtuar dhe të angazhuar në maksimum që të arrijnë rezultat pozitiv. Brenda skuadrës shihet një atmosferë shumë e mirë dhe të gjithë janë të bashkuar dhe të gatshëm që të përkrahin njëri-tjetrin.

Ndërkohë, edhe sot, Vllaznia ka zhvilluar edhe seancën stërvitore në urdhrat e trajnerit Mirel Josa. Në prag të ndeshjes kundër Kastriotit, trajneri Josa dhe stafi i tij kanë zhvilluar një seancë tekniko-taktike.

Vështirësia është e madhe dhe sidomos kur përballë do të jetë një kundërshtar që garon fort në synimet e tij. Megjithatë, përveç këtij fakti, të besuarit e trajnerit kryeqytetas besojnë se do t’ia dalin dhe skuadra ka punuar intensivisht gjatë gjithë këtyre ditëve.

Përpara se të niste seanca, Josa ka zhvilluar një bisedë me të gjithë ekipin, duke u munduar që të mobilizojë grupin dhe ka kërkuar një reflektim për ndeshjen e rradhës. Misoni mbetet i qartë, vetëm tre pikët.

Stafi teknik ka shpjeguar programin e ditës dhe përgatitjet kanë nisur me ritëm, teksa trajneri Josa ka kërkuar më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe inkursione. Josa pret me ngulm që skuadra të gjejë rezultatet e munguara, por pse jo të rikthehet edhe te golat. Stafi teknik po e përgatit me kujdes takimin ndaj Kastriotit, me shpresën që kthesa e madhe të mos vonojë.
Maringlen ZHIVANI