Do të startojë më në fund kampionati kombëtar i futbollit të femrave. Kjo gjë do të ndodhë këtë të shtunë. Kështu ka vendosur Federata Shqiptare e Futbollit e cila ka përcaktuar edhe kalendarin e tij tashmë. Kampionati i sivjetëm është i teti për këtë kategori teksa kampionatin e parë e ka fituar ekipi Tirana AS, më pas, tre tituj i ka marrë Ada e Velipojës, që më pas mori emrin Vllaznia dhe me këtë emër, ka fituar edhe tre tituj të tjerë.

Madje, skuadra e presidentit Lazer Matija, do të kërkojë edhe në edicionin e ri që të jetë ajo kampionia e Shqipërisë, nisur nga përbërja që ka dhe natyrisht edhe shumë favore të tjera si kampione.Ajo që mbetet për t’u parë është se kush do të jetë rivalja kryesore e vajzave kuqeblu këtë sezon.Nga të dhënat paraprake, duket se ekipi i Kinostudios me disa përforcime të bëra, kërkon ta rivalizojë kampionen në fuqi por mbetet për t’u parë sesa do ia arrijë. Përballja e javës së tretë mes këtyre dy ekipeve në Shkodër, do jetë testi i parë për këtë gjë. Sakaq, sa i takon shortit, Vllaznia në javën e parë do të ndeshet me ekipin e Akademisë Ajaks, ndeshje që do të luhet ditën e shtunë në orën 15.00 në fushën sportive “Reshit Rusi”.Ndeshjet e tjera të javës së parë janë këto: Kinostudio- Juban Danja, Tirana AS- The Door, Apolonia- Teuta dhe Skënderbeu- Dajti.Për kampionatin e sivjetëm ka patur shumë dilema për marrje pjesë të disa ekipeve të cilat për arsye financiare, kishin menduar tërheqjen prej tij por duket se në fund kanë ndryshuar mendje. Kjo edhe pas premtimit të Federatës për mbështje dhe në këtë mënyrë, edhe kampionati i sivjetëm do të ketë po 10 skuadra, aq sa ka patur edhe sezonin e kaluar.

© shkodrasport.com