Kryendeshja e javës së 7-të të Superiores do jetë ajo që do zhvillohet ditën e premte në “Loro Boriçi”. Në orën 17:45, në Shkodër do jenë përballë Vllaznia dhe Partizani. Një sfidë historike e kampionatit tonë, që edhe kësaj rradhe luhet për vendet e para. Pasi të dy skuadrat kanë ambicie të mëdha për këtë edicion.
Statistikat e sezoneve të fundit tregojnë për një dominim të Vllaznisë. Mes kuqebluve dhe Partizanit në 10 duelet e fundit, shkodranët nuk janë mundur asnjëherë. Këtu numërohen dy ndeshje të kupës së sezonit të kaluar, ku të dy takimet përfunduan në barazim dhe Vllaznia u kualifikua në finale nëpëmjet 11 metërshave.
Po ashtu në 8 ndeshjet e dy sezoneve të fundit në Superiore, shkodranët kanë marrë 3 fitore, e 5 sfida janë ndarë në barazim. Kuqeblutë duket se e kanë shndërruar Partizanin në kundërshtarin e preferuar. Për të parë një fitore të të kuqve kundër Vllaznisë duhet të kthehemi në datën 24.07.2020, ku “demat” fitonin 3-0.
Ndërsa një fitore në Shkodër e kanë arritur për herë të fundit në datën 19.10.2019. Në atë ndeshje Partizani triumfonte në shifrat 1-3 në “Loro Boriçi”. Gjithsesi statistikat i përkasin së shkuarës dhe të premten do jetë çdo gjë ndryshe, ku duhet fituar në fushë e jo në letër.
Endri ÇINARI