Luan Zmijani, ish-mbrojtësi i Vllaznisë, por edhe i Partizanit, i ka bërë një përmbledhje gjashtë javëve të para të ekipit shkodran të këtij sezoni. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai ka folur për takimin ndaj Teutës, por duke vendosur theksin edhe te mungesa e vijës së sulmit.

Ish-mbrojtësi ka dhënë edhe arsyet e tij për oshilacionet që ka pasur skuadra në këto javë. Ai është shprehur i zhgënjyer nga skuadra në tërësinë e vet. Megjithatë, shpreson se Vllaznia mund të arrijë maksimumin ndaj Partizanit, pavarësisht se të kuqtë nga ana e tyre në këtë sezon, janë një skuadër mjaft e mirë dhe cilësore. Poashtu, Zmijani e sheh Vllazninë pretendente për titull.

Trajneri shkodran u shpreh se ka pritur një Vllazni më të bukur në lojë, por edhe më rezultative, ndërsa theksoi se ndaj Teutës, shkodranët mund të bënin shumë më tepër.

“Të them të drejtën, kam pritur një Vllazni më të bukur në lojë, një skuadër me rrjedhshmëri në aksionet e saj pa gabime në mbrojtje, natyrisht edhe më rezultative. Për vetë situatën që po kalonte Teuta, prisja më shumë se një pikë. Kisha një besim në vetvete se mund të bënim më tepër. Çfarë nuk shkon unë nuk e di, por që kanë mundësi të japin më tepër këta futbollistë, këtë e di, sepse e kanë treguar kohë më parë.

Duhet të jesh në brendësi të skuadrës që të japësh një mendim të saktë, por këto oshilacione njihen gjatë rrugës. Megjithatë, duhet shpejt që të gjendet “ilaçi”, që mos të ketë pasoja të pariparueshme në vazhdimësi.

Loja në sulm e Vllaznisë nuk është në nivelin e duhur dhe mesa shikoj skuadra luan jo me sulmues të mirëfilltë, por me gjysmë sulmuesi, siç është Ardit Hoxhaj. Me siguri, duhet të ketë arsye që dy sulmues të mirëfilltë janë në stol si Aralica dhe Kaina. Këtë më mirë e di trajneri Josa.

Ka ndikuar mungesa e Latifit? Mendoj se shumë. Ai është një futbollist që merr përsipër dhe tepër i rëndësishëm në fazën sulmuese. Skuadra po ia ndien mungesën. Dëmtimet janë pjesë e rrugëtimit të një kampionati dhe nganjëherë ta vështirësojnë atë. Megjithatë, shikoj që ka futbollistë në organikën e ekipit që mund të bëjnë mirë. Mund të përmend rastin e të riut Alivoda, që po bën mjaft mirë punën që i është ngarkuar.

Përballja ndaj Partizanit? Tepër e vështirë. Do të ketë përballë një kundërshtar shumë të fortë, siç është Partizani. Ata janë një ekip që kanë bërë një start të mirë, përveç ndeshjes me Tiranën. Kështu, duhet të kemi kujdes dhe të marrim maksimumin, duke shfrytëzuar dy mungesat e tyre. Mendoj se Vllaznia ka shumë shanse të fitojë, por duhet të luftohet fort dhe të besojnë se mund të arrijmë suksesin.

Në çdo repart duhet kujdes, sidomos në mbrojtje që duhen më pak gabime dhe duhen edhe më të shumta mbylljet e zonave të lira. Mesfusha duhet të luajë më shpejt dhe me sa më shumë vertikalizime dhe kryesorja për mua, të luhet me sulmues kryesor. Pra, një Vllazni solide e fiton këtë sfidë ndaj Partizanit.

Këtë sezon, Vllaznia pretendente për titull? Mendoj se skuadra do të ketë rritje dhe me siguri që do të jemi pretendentë për titullin. Gjithsesi, rruga është shumë e gjatë”,-mbylli prononcimin e tij, ish-trajneri i Vllaznisë, Luan Zmijani.
Maringlen ZHIVANI