Qeveria greke pritet të ndërpresë sot kampioantin e futbollit në këtë vend, për të qetësuar gjakrat pas ngjarjeve të javëve të fundit ku ndeshjet PAOK-Olimpiakos dhe PAOK-AEK u kthyen në objekt trazirash.

Sipas mediave greke, pritet që të merret vendimi i ngjashëm me atë të disa viteve më parë, kur u vendos që kampioanti të bënte disa javë pushim pas trazirave të tifozëve në stadiume dhe kërcënimeve me jetë që iu bënë gjyqtarëve.

Këtë radhë, shkaktar është bërë Ivan Savides, presidenti i skuadrës së PAOK, i cili hyri në fushë mbrëmë gjatë ndeshjes ndaj AEK, duke mbajtur një pistoletë në brez, ndërsa nuk ngurroi të kërcënonte gjyqtarin e ndeshjes.

Policia e Selanikut ka lëshuar sot një mandat arresti për biznesmenin e njohur dhe për 4 truprojat e tij, të cilët ishin gjithashtu të armatosur.

Sipas legjislacionit përkatës, në ambientet sportive nuk lejohen persona të armatosur përveç policëve, ndaj Savides duhet të japë shpjegime pse në mënyrë të dukshme ka thyer ligjin, ndërsa kundër tij ka denoncim edhe nga Superliga Greke. /vipsport/