Vllaznia mori një barazim në shifrat 1-1 në javën e 21-të të kampionatit. Rezultat që erdhi në takimin përballë Partizanit, në transfertën e këtij raundi. Shifra që ndoshta ishin të drejta për mënyrën se si shkoi ndeshja, ku Vllaznia luajti gjithë pjesën e dytë me një lojtar më pak në fushën e lojës, pas daljes me të kuq të Hakajt.

Performanca e skuadrës në tërësi ishte e një niveli mesatar, por kishte edhe disa individë që zhgënjyen ndoshta në takimin kundër Partizanit. Një prej të cilëve pritet shumë në këtë takim ishte Victor Da Silva.

Braziliani ishte jashtë pritshmërive si një prej futbollistëve që mund të bënte diferencën. 27-vjeçari u pa totalisht jashtë forme kundër të kuqve, ku me shumë topa të humbur dhe pa shpirtin e duhur të sakrificës, ai u nxorr nga fusha në minutën e 66-të të ndeshjes, për tu zëvendësuar nga Kruja.

Prej disa ndeshjesh sulmuesi nuk po tregon formën e tij më të mirë, ku duket se po kalon një moment krize. Patjetër që tifozët e Vllaznisë presin shumë më shumë nga ish-futbollisti i Chievos, kjo duke parë edhe cilësitë që zotëron, që e bëjnë një nga lojtarët më të veçantë në kampionatin tonë.

Ndeshja me Skënderbeun vjen shumë shpejt, ku takimi do luhet ditën e premte. Ky mund të jetë edhe takimi i duhur për brazilianin për autokritikë dhe të nxjerrë në pah edhe njëherë vlerat e tij. Vlera për të cilat skuadra e Vllaznisë ka nevojë në këto momente ku kampionati po futet në një fazë të “nxehtë”.
Endri ÇINARI