Kjo është ndër tryezat e shahut më të veçanta që keni parë ndonjëherë, jo për shkak të ndryshimit të nivelit midis konkurrentëve, por për shkak të ndryshimit në moshë, plot 6 dekada.

Ky është 8-vjeçari Henri Troshani, kampioni më i ri i Ballkanit në shah të zhvilluar në Cetinje të Malit të Zi në disiplinën Rapid dhe nënkampion në disiplinën Blitz.

Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij, sapo vjen nga shkolla, pasi mbaron mësimet mendja i shkon vetëm tek sporti i shahut. Mes shumë konkurrentësh nga i gjithë Ballkani, Henri ia doli të ngrejë flamurin e Shqipërisë.

“Shumë mirë më shkoi me lojtarë, ishin prej disa shteteve: Malit të zi, Bullgarisë, Moldavisë dhe Rumanisë. Prej Rumanisë dhe Bullgarisë ishin më të fortët. U emocionova pak dhe u kënaqa, u ndjeva shumë mirë, mora flamurin dhe dola aty”, thotë 8-vjeçari.

Për trajnerin veteran Bernard Leka, Henri është një fëmijë i veçantë dhe shumë i talentuar.“E veçanta, kënaqësia është e madhe kur ke një kampion, të kurorëzohet dhe puna disavjeçare që ke bërë. Është i shpejtë, i shkathët, i mprehtë, këmbëngulës në lojë, ka disa cilësi që në lojën e shahut janë vendimtare”, tregon trajneri Leka.

Ka pasur raste që Henri ka mundur dhe profesorin me më shumë se 5 dekada përvojë.Ndryshe nga shokët e tij që telefonin e kanë primar, Henri e përdor për të parë, apo luajtur shah. Pasionin për lojën e mendjes thotë se e ka të përjetshëm.

Trajneri Leka kërkon më shumë mbështetje nga shteti dhe bashkia. “Është një lloj mbështetje nga ana e shtetit, por shumë e vogël në krahasim me sa duhet. Detyrohet prindi me shpenzimet e veta ta shoqërojë fëmijën në turne”, thotë ai.

Objektivi i Henrit është kampionati i Europian i moshave në Turqi, por më parë prindërve u duhet të gjejnë paratë për të mbuluar shpenzimet e pjesëmarrjes. /EuroNews/