Vllaznia e femrave i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e parë të grupeve të Champions League ndaj Realit të Madridit, që do të luhet mbrëmjen e nesërme. Të grumbulluar që ditën e djeshme në një nga hotelet komode në periferi të qytetit të Shkodrës, shoqëruar me një përkujdesje maksimale nga drejtuesit e klubit, futbollistet shkodrane po e presin me padurim këtë ndeshje ndaj Realit.

Vajzat kuqeblu përballë do të kenë një skuadër me shumë emër në botë, me një paraqitje shumë pozitive edhe në konkurrimet e saj, qoftë në kampionat, qoftë në Champions League, pjesëmarrjet e së cilës kanë qenë rregullisht ndër vite.

Seanca e fundit anti-Real Madrid ishte ajo e mbrëmjes së sotme në stadiumin “Loro Boriçi”. Kjo seancë, ashtu si edhe të tjerat më parë, është ndjekur prej së afërmi nga presidenti Lazër Matija dhe stafi i tij. Kjo seancë la të kuptohej se ka një entuziasëm në rradhët e skuadrës, ku secila prej futbollisteve, por edhe pjesëtarëve të stafit teknik, me në krye trajnerin Nikolin Leka, duket qartë se po “jeton” me emocionet e përballjes së mbrëmjes së nesërme.

Trajneri Nikolin Leka, së bashku edhe me ndihmësin e tij, Fabiol Rexhepi, janë përkushtuar dhe përqëndruar kryesisht në zbatimin e skemave tekniko-taktike të projektuara për të sulmuar spanjollet në kërkim të shënimit të golit. Megjithatë, jo vetëm veprimeve sulmuese, sepse një vëmendje po aq e madhe, i është kushtuar edhe veprimeve mbrojtëse.

Ndërkohë, trajneri Leka e ka përcaktur formacionin deri në masën 90%, teksa ka ende edhe ndonjë dilemë të fundit, kryesisht me mesfushën dhe sulmin, që akoma nuk i ka fiksuar plotësisht emrat e duhur që do të jenë në fushë nga minuta e parë.

Kështu, me një atmosferë pozitive dhe shumë entuziaste, skuadra kuqeblu po shkon drejt momentit final të sfidës të së mbrëmjes së nesërme ndaj Realit të Madridit, me një përgatitje dhe moral të lartë, duke patur vetëm një synim, fitoren e kësaj sfide të parë të grupeve të Champions League, duke hedhur kështu hapin e parë të tre pikëve.
Maringlen ZHIVANI