Ka vetëm dy vite që merret me mbretëreshën e sporteve, atletikën dhe është vetëm 18-vjeç, por në aktivitetet e këtij viti ka treguar se është një kampion i padiskutueshëm në garat ku ka konkurruar. E kemi fjalën për Leandro Çardakun, i cili falë talentit që zotëron, gjatë këtij viti nuk i kanë munguar sukseset.

Kështu, spikat thyerja e rekordit të 100-metrave për të rinj, rekord që kishte 23-vite pa u thyer. Ai ka fituar edhe disa trofe të tjerë, madje edhe në garat e të rriturve. Me siguri që në të ardhmen, do të ketë edhe plot të tjera.

Për këto arritje, gazeta “Shkodra Sport” vendosi ta nderojë me çmimin “Talenti i vitit 2022” Leandro Çardakun. “Shkodra Sport” e ka intervistuar këtë atlet, duke mësuar edhe për këtë pasion të tij dhe synimet për të ardhmen.

Çardaku u shpreh se u emocionua së tepërmi për këtë çmim të fituar prej tij, sepse kjo gjë e bëri të kuptojë atë se mund të bëjë edhe më shumë në të ardhmen. Po ashtu, atleti i talentuar shkodran theksoi se këtë vit synon të dalë përsëri kampion, edhe me një rezultat më të mirë.

“Vlerësimi nga “Shkodra Sport”? Kur unë dëgjova se isha shpallur një nga talentët e vitit 2022 nga kjo gazetë, u emocionova shumë sepse kjo gjë më bëri të kuptoj se unë mundem të bëj edhe më shumë në të ardhmen time.

Bilanci i këtij viti që po lëmë pas? Gjatë këtij viti, unë u shpalla kampion Shqipërie. Po ashtu, edhe kampion i Kupës së Shqipërisë, ku aty arrita të thyej rekordin e Shqipërisë U-20.

Urimi për festat e fundvitit? Unë uroj të gjithë sportistët për një vit sa më të bukur dhe ky vit qoftë një vit i mbarë për të gjithë.

Objektivat dhe synimet për vitin 2023? Shpresoj që ky vit të jetë një vit, ku pse jo të mos dal përsëri kampion edhe me një rezultat më të mirë. Unë premtoj se gjithmonë do të bëj më të mirën time”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, atleti i talentuar shkodran Leandro Çardaku.
Maringlen ZHIVANI