Tami Kona, gazetar sporti, foli në emisionin “SportZone” në MCN TV, për trajnerin e ri të Shqipërisë, Silvinjo. Kona deklaroi se braziliani po paragjykohet dhe kjo ndodh për shkak të CV. Ai u shpreh se Silvinjo është një kampion i madh, referuar karrierës si futbollist.

“Më pëlqeu gjesti fisnik i trajnerit Reja. Marrim trajnerë të huaj, sepse duam që profesionalizimi të jetë sa më i madh. Më pëlqeu atmosfera në prezantimin e trajnerit Silvinjo.

Kemi një trajner, i cili është kampion i madh. Është një lojtar me CV të pasur. Nuk ka qenë e lehtë për të bindur Silvinjon, që të marrë drejtimin e Shqipërisë. Ne nuk e mendonim se do të kalonim te samba braziliane. Eksperiencat janë pozitive, të trajnerëve italiane te Shqipëria, përjashto Panuçin.

Kam besim të madh te Zabaleta. Ka eksperiencë të madhe si lojtar. Uroj që një ndeshje miqësore duhet të bëhet me çdo kusht para eliminatoreve të Europianit.

Analizën e trajnerit do e bëjmë pas çdo ndeshje. Në Poloni duhet të shkojmë dhe të marrim maksimumin, ashtu si edhe në Çeki. Që të shkojmë në Europian, duhet të synojmë maksimumin. Analiza do bëhet. Është trajner që po paragjykohet. E paragjykon CV-ja”- eshte shprehur Kona.